Filmi "The Odyssey" i Christopher Nolan shfaqet sonte premierë në Cineplexx Prishtina
Kulturë
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Filmi "The Odyssey" i Christopher Nolan shfaqet sonte premierë në Cineplexx Prishtina
Cineplexx Kosova organizon sonte premierën gala të filmit "The Odyssey", produksioni më i ri i regjisorit të njohur Christopher Nolan, i cili do të shfaqet në sallën IMAX të Cineplexx Prishtina.
Premiera do të nisë në orën 20:45 dhe pritet të mbledhë përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, partnerë, personalitete nga fusha e kulturës, biznesit dhe jetës publike, shkruan KosovaPress.
"The Odyssey" sjell në ekran një interpretim bashkëkohor të eposit të Homerit, duke rrëfyer udhëtimin e Odiseut në kthimin e tij drejt Itakës pas përfundimit të Luftës së Trojës.
Sipas organizatorëve, filmi shënon një moment të rëndësishëm për industrinë botërore të kinematografisë, pasi është filmi i parë artistik i realizuar tërësisht me kamera IMAX. Ky format ofron cilësi të lartë të figurës, ekran me përmasa më të mëdha dhe një përvojë audio-vizuale më gjithëpërfshirëse për shikuesit, thuhet në njoftimin për media.
Cineplexx Prishtina thekson se posedon ekranin e vetëm IMAX në Kosovë dhe një nga të paktët në rajon, duke u ofruar adhuruesve të filmit mundësinë ta ndjekin premierën në formatin origjinal të konceptuar nga regjisori.
Premiera ka edhe një simbolikë për publikun shqiptar, pasi në adaptimin filmik të vitit 1968 të "Odiseut", rolin e protagonistit e kishte interpretuar aktori i njohur shqiptar Bekim Fehmiu, një nga figurat më të rëndësishme të kinematografisë evropiane.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.