Shtetasit e Kinës, Rusisë dhe Turqisë hyjnë në vendet e Ballkanit Perëndimor pa viza dhe më pas përpiqen të vazhdojnë udhëtimin drejt Bashkimit Evropian, paralajmëron Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, në vlerësimin e fundit të rrezikut.
Brukseli, në të njëjtën kohë, u kërkon vendeve të rajonit të ashpërsojnë politikat e vizave dhe të mbyllin hapësirat që mundësojnë keqpërdorime të tilla.
Ajo thotë se është në dijeni edhe për përpjekjet e shtetasve të huaj për të vazhduar në mënyrë të paligjshme udhëtimin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
“Këto informacione nuk kanë të bëjnë vetëm me shtetasit e Federatës Ruse, Republikës Popullore të Kinës dhe Turqisë, por edhe me shtetas të vendeve të tjera”, thekson Policia Kufitare e Bosnje dhe Hercegovinës, duke shtuar se ajo bashkëpunon vazhdimisht me Frontex-in dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.Disa shtetas rusë, përfshirë edhe çeçenë, e kanë shfrytëzuar Ballkanin si rrugë transiti ose si strehim të përkohshëm, pas fillimit të luftës në Ukrainë, më 2022.
Frontex: Keqpërdorimet do të vazhdojnë
Frontex veçon në këtë kategori shtetasit e Kinës, Rusisë dhe Turqisë, si dhe “poseduesit e pasaportave jordaneze me origjinë palestineze”.
Megjithatë, ajo paralajmëron se keqpërdorimi i regjimit pa viza do të vazhdojë.
Në të njëjtin raport thuhet se politikat e pavendosura në mënyrë të harmonizuar për vizat në vendet e Ballkanit Perëndimor, vazhdojnë ta lehtësojnë përdorimin e fluturimeve drejt rajonit si pikënisje për hyrje të parregullt në Bashkimin Evropian.
Agjencia nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment lidhur me paralajmërimet për keqpërdorimin e mundshëm të regjimit pa viza në Ballkanin Perëndimor.
Komisioni Evropian prej vitesh kërkon harmonizimin e politikave të vizave
Kjo çështje përmendet rregullisht në raportet vjetore të progresit të Komisionit Evropian, si dhe në raportet për Mekanizmin e Pezullimit të Vizave, i cili monitoron nëse vendet që gëzojnë regjim pa viza me BE-në, vazhdojnë t’i përmbushin kushtet për ta ruajtur atë.
Nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë thonë për Radion Evropa e Lirë se nga ky vend, si kandidat për anëtarësim në BE, pritet harmonizim i mëtejshëm i politikës së vizave me listën e vendeve të treta, shtetasit e të cilave kanë nevojë për vizë për të hyrë në Bashkimin Evropian, veçanërisht kur bëhet fjalë për shtete që paraqesin rrezik migrimi ose të sigurisë.Ministri i Jashtëm i Bosnje dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka thënë më herët se, deri në fund të këtij viti, vendi do të vendosë regjim vizash për një nga këto shtete, pa bërë të ditur se për cilin prej tyre bëhet fjalë.
Megjithatë, ai ka theksuar se “nuk është reale” që kjo të vlejë për Turqinë, Kinën ose Rusinë.
Policia Kufitare e Bosnje dhe Hercegovinës thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 147.910 hyrje të shtetasve të Kinës dhe 125.088 hyrje të shtetasve rusë.
Denis Avdagiq, analist i politikës së jashtme në Institutin për Strategji të Reja Mediale (INMS) në Zagreb, thotë se nëse Bosnje dhe Hercegovina nuk arrin t'i përmbushë këto kërkesa, ajo do të dërgojë mesazh të qartë për Brukselin.
“Nuk mund t’i zgjidhin të gjitha problemet përfaqësuesit e lartë. Një pjesë e përgjegjësisë u takon edhe qytetarëve. Nëse dikush dëshiron t’i mbajë qytetarët peng të politikave, sidomos atyre ndaj Rusisë, atëherë ata duhet ta dinë se, sipas sondazheve më të fundit, më shumë se gjysma e qytetarëve në Republikën Sërpska janë pro anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa mbështetja në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës dhe në Distriktin e Bërçkos është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate”, thotë Avdagiq.
Avdagiq thotë se harmonizimi i politikës së vizave është një kërkesë që Bashkimi Evropian ua parashtron të gjitha vendeve kandidate, prandaj as vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të bëjnë përjashtim.
Ai thekson se është e qartë se vendosja e regjimit të vizave nuk është një dëshirë politike e shteteve të veçanta.
Viza për rusët në Mal të Zi deri në shtator?
Mali i Zi është vendi i parë në rajon që, nën presionin e Bashkimit Evropian, do ta heqë regjimin pa viza për shtetasit rusë.Kjo masë është pjesë e obligimeve që Mali i Zi ka marrë në kuadër të harmonizimit me rregullat e Bashkimit Evropian, në Kapitullin 24 - Drejtësia, Liria dhe Siguria.
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi konfirmoi për Radion Evropa e Lirë më 26 qershor se shtetasit rusë do të kenë nevojë për vizë për të hyrë në Mal të Zi dhe se pa këtë masë nuk do të jetë e mundur të mbyllet Kapitulli 24 i negociatave me BE-në.
Nga numri i përgjithshëm i shtetasve të huaj që hyjnë në Mal të Zi gjatë një viti, rusët zakonisht renditen të dytët, menjëherë pas shtetasve të Serbisë.
Megjithatë, të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë një shifër edhe më të lartë, sipas së cilës në Mal të Zi ndodhen 23.330 shtetas rusë.
Sa u përket shtetasve kinezë, Enti i Statistikave i Malit të Zi regjistroi rritje të numrit të vizitorëve nga Kina.
Megjithatë, shtetasit kinezë nuk mund të hyjnë individualisht në Mal të Zi pa vizë.
Për udhëtimet turistike në grup zbatohen rregulla të veçanta: përmes agjencive turistike malazeze që bashkëpunojnë me agjenci kineze, ata mund të pajisen me letra ftesë dhe, nëse kanë rezervuar një paketë turistike, të qëndrojnë në Mal të Zi deri në 30 ditë.
Sa i përket Serbisë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian, ajo nuk ka vendosur ende sanksione ndaj Rusisë, edhe më shumë se katër vjet pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Sipas regjistrimit të popullsisë të atij viti, në këtë vend jetonin mbi 10.000 shtetas rusë, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se numri i rusëve që qëndronin në Serbi ishte mbi 30.000.
Sa i përket Kosovës, ajo nuk ka marrëdhënie diplomatike me Kinën, pasi Pekini nuk e njeh pavarësinë e saj.
Maqedonia e Veriut, po ashtu, kërkon vizë si për shtetasit e Kinës, ashtu edhe për ata të Rusisë.
Duke folur për aspektin e sigurisë, analisti i politikës së jashtme, Denis Avdagiq, thotë se nuk mund të vlerësojë raste të veçanta të keqpërdorimit të regjimit pa viza, por shton se shtetasit rusë janë lidhur edhe më herët me aktivitetet hibride.
“Dihet se shtetasit rusë janë përfshirë më herët në aktivitete hibride, jo vetëm në vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe brenda Bashkimit Evropian. Ndërsa në BE është shumë e vështirë të kalohen kontrollet e sigurisë, qoftë për marrjen e vizës apo hyrjen në territorin e saj, situata në Ballkan është ndryshe, veçanërisht kur ekziston një regjim i liberalizuar i vizave për shtetasit rusë”, thotë Avdagiq.
“Nëse e shohim në tërësi, është e qartë për të gjithë pse pikërisht Rusia dhe Kina janë një çështje veçanërisht sfiduese për Bashkimin Evropian. Pikërisht në këto tema, vendet kandidate duhet të dëshmojnë se sa seriozisht e dëshirojnë anëtarësimin në BE”, përfundon Avdagiq.