Kancelari gjerman, Friedrich Merz, propozoi që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet statusi i vëzhguesit në Bashkimin Evropian, ndërsa Ukrainës statusi i së ashtuquajturës anëtare e asociuar pa të drejtë vote.
Në një letër që Merz ua dërgoi liderëve të BE-së - presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe presidentit qipriot, Nikos Christodoulides, aktualisht kryesues i BE-së - ai vlerëson se nevojitet një dinamikë e re për Ukrainën, Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë.
Ballkani Perëndimor - vëzhgues në institucionet e BE-së
Për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë, Merz propozon shqyrtimin e “zgjidhjeve inovative” për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të tyre në BE.Ai, po ashtu, propozon dhënien e statusit të vëzhguesit për vendet e Ballkanit Perëndimor në të gjitha institucionet relevante të Bashkimit Evropian, si dhe mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të Komisionit Evropian ose Parlamentit Evropian me përfaqësues të rajonit, për çështje që lidhen drejtpërdrejt me të.
“Integrimi gradual mund të realizohet përmes ndërtimit të blloqeve që do të shërbenin si bazë për zbatimin e plotë të fushave përkatëse të politikave, dhe më pas do të shoqërohej me mbështetje më të madhe në zbatimin e ligjeve të BE-së. Përveç kësaj, mund ta avancojmë edhe integrimin institucional mbi bazën e progresit real. E gjithë kjo mund t’i afrojë ndjeshëm vendet kandidate me ne dhe të nxisë një ambicie të re për reforma të mëtejshme drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman.
Ukraina si anëtare e asociuar
Sipas tij, statusi i “shtetit anëtar të asociuar” mund të përfshijë, ndër të tjera, pjesëmarrjen në takimet e udhëheqësve ose ministrave të Bashkimit Evropian pa të drejtë vote, statusin e një anëtari të asociuar të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, gjithashtu pa të drejtë vote, si dhe zbatimin gradual të ligjeve të Bashkimit Evropian në përputhje me përparimin e Ukrainës në negociatat e pranimit - “jo automatikisht, por pas miratimit të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe me klauzolat e përshtatshme mbrojtëse”.
Merz, gjithashtu, propozon një mekanizëm automatik kthimi, në rast të kthimit prapa në vlerat themelore të Bashkimit Evropian, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit ose hapa prapa strukturorë në negociatat e pranimit.
Ai nënvizon, po ashtu, se propozimi për Ukrainën pasqyron situatën specifike të këtij vendi.
Paralelisht, thuhet në letër, Bashkimi Evropian do të vazhdojë me procedurën e rregullt të pranimit, për të siguruar që pranimi formal të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ai shton se këto çështje mund të zgjidhen nëse evropianët marrin një qasje konstruktive ndaj këtij statusi të veçantë, sepse do të ishte një sinjal i fortë politik, për të cilin Ukraina dhe qytetarët e saj kanë nevojë në kohën e luftës së vazhdueshme të tyre kundër agresionit rus.