Arifi: Edhe Glauk Konjufcën e mundësojmë për president, nëse ka garanci për kërkesat tona
Intervista
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Arifi: Edhe Glauk Konjufcën e mundësojmë për president, nëse ka garanci për kërkesat tona
pamje in terviste
25/07/2026 - 13:01
Linku u kopjua

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të mundësojë zgjedhjen e presidentit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nëse partia fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit garanton zbatimin e gjashtë kërkesave që AAK-ja i konsideron prioritare.

Ai në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, tha se janë në pritje të një ftese nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar për këto kërkesa, ku përfshihet edhe pranimi i gazit amerikan.

Arifi shtoi se në një takim të tillë do të diskutohej edhe për formimin e institucioneve të reja, duke theksuar se shtatë deputetët e Aleancës janë të gatshëm të mundësojnë kuorumin për zgjedhjen e presidentit, edhe nëse kandidati i propozuar nga LVV-ja është Glauk Konjufca apo cilido emër tjetër.

“Mundet në takime edhe me u zotu se do t’i implementojë të gjitha pikat dhe mundemi me bisedu. Kur të mbërrijmë te ai stacion, diskutojmë. Ne jemi shumë të lehtë për me qëndru në sallë. Aleanca i ka lehtësuar punën LVV-së me i marrë shtatë votat e saj, me siguru kuorumin me çmimin më të ulët të mundshëm. Është e vetmja parti prej pas luftës që i ka ofruar partisë që ka fituar zgjedhjet me ia dhënë votat pa kurgjo për veti. Pa përfshirje në qeveri, ne s’kemi kërkuar as post ministror, as zëvendësministër, ambasador, këshilltar dhe as beneficione për komunat e Aleancës. (Gazi amerikan) Kjo është çështja e rreshtimit të Kosovës. Nuk është vetëm gaz. Qysh nuk po mundem me kuptu. Është çështje e partneritetit strategjik. Nuk po i thuhet jo vetëm gazit, po i thuhet një partneriteti afatgjatë strategjik që është në interes vital për shtetin e Kosovës. Nëse i thua gazit jo, e thëngjillit jo, kujt po i thua po? Atëherë po mbet, ti apriori po përcaktohesh për import nga mafia energjetike”, tha ai.

Arifi u shpreh se LVV-ja duhet vetëm të garantojë zbatimin e pikave të propozuara nga Aleanca, ndërsa shtoi se këto nuk janë të pandryshueshme dhe mund të diskutohen në një takim ndërmjet drejtuesve të dy partive.

Ai tha se Aleanca nuk ka kërkuar poste ministrore, zëvendësministra, ambasadorë, këshilltarë apo përfitime për komunat që udhëheq, duke theksuar se ata janë të gatshëm ta ndihmojë zhbllokimin e procesit pa u bërë pjesë e qeverisë.

Krahas gazit amerikan, Aleanca ka kërkuar lehtësime për bizneset e vogla, mbështetje për bujqësinë, buxhetimin e infrastrukturës, nisjen e menjëhershme të procedurave për ndërtimin e një termocentrali me thëngjill, si dhe një fond prej 1 miliard për kryeqytetin.

Arifi theksoi se partia e tij nuk e kushtëzon mbështetjen me profilin e kandidatit për president, por vetëm me zotimet që, sipas tij, duhet t’i marrë LVV-ja për zbatimin e kërkesave të Aleancës.

Ai shtoi se Aleanca nuk do të pengojë as një marrëveshje të mundshme ndërmjet LVV-së me LDK-në apo PDK-në për zgjedhjen e presidentit ose formimin e institucioneve, duke theksuar se partia e tij vetëm ka përcaktuar kushtet mbi të cilat është e gatshme të mundësojë kuorumin.

“Çfarëdo profili le ta përzgjedh. Le ta bën Glaukun, le të na garanton këto, ne e votojmë dhe rrimë në sallë. Dimalin le ta bën. LVV-ja i ka fituar 47 për qind të votave, i ka 53 deputetë, por vetëm të garanton se implementon këto pika dhe zotimet publike apo forma të tjera që përcaktohen në një takim apo takimin mes krerëve të partisë tonë dhe LVV-së. Kushdo që zgjidhet president, ne kërkojmë këto garancione. Albulena, këndo. Ne kemi qenë të qartë, nuk po lidhemi me funksion, njerëz dhe pozicione. Ne jemi të lidhur me këto pozicione. Nëse t’i implementon, ne rrimë në sallë, por kjo s’do të thotë se votojmë për, por mundësojmë kuorumin. Me kënd bën marrëveshje politike, PDK-në apo LDK-në, a është afër me bo kjo nuk më intereson. Nuk e bllokoj, nuk bëj pengesa dhe si sekretar i përgjithshëm nuk dal kundër një marrëveshjeje mes LVV-së me PDK-në apo LDK-në, përkundrazi e inkurajoj, por ne si Aleancë kemi përcaktuar qëndrimet tona”, theksoi Arifi.

Megjithatë, Arifi kritikoi zvarritjen e procesit të konstituimit të institucioneve, duke theksuar se 6 gushti paraqet afatin e fundit ligjor për shtyrjen e procesit.

Ai e cilësoi si “çmenduri” mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke vlerësuar se Kosova ka nevojë për funksionalizimin e institucioneve dhe jo për një proces tjetër zgjedhor.

Në anën tjetër, Arifi mbështet mosrikthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë të dorëhequr në vitin 2022.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026