Milorad Dodik, ish-president i Republikës Srpska, ka nxitur reagime të ashpra pasi në një emision televiziv e quajti Ratko Mladiqin “hero të këtij populli”.
Dodik deklaroi se Mladiq ishte “komandanti suprem i Ushtrisë së Republikës Srpska dhe hero kombëtar”, ndërsa kujtoi se kishte dëshmuar në Hagë në mbrojtje të Mladiqit dhe Radovan Karaxhiq.
Ai akuzoi gjithashtu Mekanizmin Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale për trajtim “çnjerëzor” ndaj Mladiqit dhe Karaxhiqit, duke theksuar gjendjen e rëndë shëndetësore të Mladiqit.
“Karaxhiq dhe Mladiq udhëhoqën Republikën Sërpska në kohët më të vështira dhe sakrifikuan komoditetin personal për lirinë e popullit”, tha Dodik.Murat Tahiroviq tha se mënyra si Dodik interpreton rolin e Mladiqit dhe Karaxhiqit gjatë luftës përbën elemente të qarta të veprës penale, por shprehu dyshime se Prokuroria e Bosnjës do të ndërmarrë hapa.
“Janë dënuar qytetarë të zakonshëm për raste të ngjashme, por jo figurat kryesore politike për të cilat u miratua ky ligj”, deklaroi Tahiroviq, përdjell Dukagjini, transmeton KosovaPress.
Ekspertja juridike Lejla Brciq vlerësoi se deklarata e fundit e Dodikut përmban elemente të mohimit dhe arsyetimit të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit.
Avokatja Sabina Mehiq tha se Prokuroria e Bosnjës mund të hapë hetim edhe pa kallëzim penal formal.
“Artikulli dhe deklaratat e Dodikut për Ratko Mladiqin si hero përmbajnë qartë elemente të veprës penale. Nevojitet vetëm vullnet për ta proceduar rastin”, tha Mehiq.
Ekspertët paralajmërojnë se mosveprimi i institucioneve mund të inkurajojë raste të tjera të mohimit të gjenocidit dhe nxitjes së urrejtjes ndëretnike në Bosnje dhe Hercegovinë.