Eqrem Avdullahu e pranon se e kërcënoi Gucatin, vendimi më 23 korrik
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Eqrem Avdullahu e pranon se e kërcënoi Gucatin, vendimi më 23 korrik
746615308_932830123168085_5170514965233752450_n
20/07/2026 - 12:44
Linku u kopjua

I akuzuari Eqrem Avdullahu e ka pranuar fajësinë për veprën penale “kanosje”, ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati në Gjykatën Themelore në Drenas.

Pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, gjykata e miratoi atë, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e caktoi për 23 korrik 2026, në orën 11:30.

I akuzuari Eqrem Avdullahu tha se e pranon fajësinë.

“Jam fajtor, e ndjej veten fajtor. Kërkoj falje”, tha ai, raporton KosovaPress.

Avokati i të dëmtuarit Hysni Gucati, Halim Shala, tha se pranimi i fajësisë mund të merret si rrethanë lehtësuese, por sipas tij nuk e zbeh peshën e kërcënimit dhe pasojat që ka shkaktuar rasti.

“Edhe pse i akuzuari e ka pranuar fajësinë, nuk mund ta minimizojë ndjeshmërinë e kësaj vepre penale kur kemi parasysh autoritetin e Gucatit, i cili përfaqëson institucionin më të rëndësishëm mbi bazën e të cilit funksionon Republika e Kosovës. Pranimi i fajësisë mund të pranohet si rrethanë lehtësuese, por nuk mund ta zbehë peshën e kërcënimit dhe pasojat që ka shkaktuar te secili veteran i UÇK-së, familjarët e Gucatit dhe qytetarët e tjerë. Për ta aprovuar këtë pranim të fajësisë, kërkojmë nga ai të na sqarojë në mënyrë më objektive se kush e ka shtyrë që ta bëjë atë postim kaq denigrues. Ne nuk mund të pajtohemi me pranimin e fajësisë pa marrë përgjigje. A e ka shtyrë dikush apo e ka bërë vetë këtë vepër? Në konsultim japim pëlqimin për pranimin e fajësisë në këtë fazë të procedurës”, tha ai.

Gjyqtari Shefqet Baleci tha se gjykata e miraton pranimin e fajësisë, ndërsa aktgjykimi do të shpallet në seancën e radhës.

“Miratohet pranimi i fajësisë. Gjykata sot nuk mund ta bëjë shpalljen e aktgjykimit. Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 23.07.2026, në ora 11:30”, tha ai.

Sipas prokurores Albiona Musaj, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 3 qershor 2026, rreth orës 13:10, Eqrem Avdullahu, përmes rrjetit social Facebook, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit, e ka kanosur seriozisht Hysni Gucatin.

Ajo tha se në një faqe në Facebook me emrin “Diaspora në Krye” ishte publikuar një fotografi e Gucatit me mbishkrimin: “Prokuroria heton Hysni Gucatin – morri rrogë për 19 vite si sekretar shkolle pa shkuar në punë”, ndërsa më pas Avdullahu, nga llogaria e tij personale në Facebook me emrin “Eqrem Avdullahu”, kishte komentuar: “Këtë derr duhet pushkatu”.

Sipas Prokurorisë, me këtë koment tek i dëmtuari është shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën, me ç’rast i akuzuari dyshohet se ka kryer veprën penale “kanosje”.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026