Çfarë fshihet pas frutave dhe perimeve që blejmë çdo ditë?
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Çfarë fshihet pas frutave dhe perimeve që blejmë çdo ditë?
pazari-pamje
19/07/2026 - 10:18
Linku u kopjua

Çdo ditë në tryezat e qytetarëve përfundojnë fruta dhe perime, të cilat konsiderohen ndër ushqimet më të rëndësishme për një jetë të shëndetshme. Por, përtej pamjes së tyre të freskët dhe ngjyrave që tërheqin konsumatorët, mbetet një pyetje: sa të sigurta janë në të vërtetë produktet që konsumojmë?

Pesticidet janë pjesë e procesit bujqësor, pasi përdoren për mbrojtjen e kulturave nga sëmundjet dhe dëmtuesit. Megjithatë, përdorimi i tyre jashtë rregullave ose tejkalimi i kufijve të lejuar të mbetjeve mund të paraqesë shqetësim për shëndetin e konsumatorëve.

Për të garantuar sigurinë e produkteve që arrijnë në treg, kontrollet institucionale dhe analizat laboratorike luajnë një rol të rëndësishëm. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thotë se produktet vendore dhe ato të importuara i nënshtrohen kontrolleve zyrtare, përmes marrjes së mostrave dhe testimit për mbetjet e pesticideve.

Por sa janë të informuar qytetarët për këtë çështje dhe çfarë thonë ekspertët për përdorimin e pesticideve në bujqësi? Për këtë temë, KosovaPress ka biseduar me zyrtarë të AUV-së, ekspertë të bujqësisë dhe përfaqësues të Organizatës “Konsumatori”.

Ushtruesi i detyrës së shefit të Inspektoratit Fitosanitar nga  AUV, Burim Ahmeti thotë për KosovaPress, se mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve është prioritet i institucionit, ndërsa kontrollet kryhen përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, sipas legjislacionit në fuqi dhe analizës së rrezikut.

Sa i përket frutave dhe perimeve që mund të paraqesin rrezik më të lartë nga mbetjet e pesticideve, ai thotë se kontrollet nuk fokusohen në kultura të caktuara, por zbatohen për të gjitha produktet bujqësore. Sipas tij, deri më tani nuk janë evidentuar raste të tejkalimit të normave të lejuara.

“Faktikisht, Inspektorati Fitosanitar në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, vepron mbi bazën e një plani të bazuar në rrezik. Këto kontrolle zbatohen të të gjitha kulturat bujqësore, pa dallim. Fillimisht kalojnë nëpër shumë procedura kontrolli. Nuk kemi raste specifike që t’i kalojnë vlerat e lejuara apo normat e lejuara me kontaminantë, në këtë rast me mbetjet e pesticideve. Kështu që, nuk kisha me potencuar ndonjë kulturë apo ndonjë produkt, qoftë pemë, perime ose produkte të tjera, të cilat i kanë tejkaluar normat e lejuara të mbetjeve të pesticideve. Domethënë, konsiderojmë që situata është në monitorim dhe në kontroll të plotë nga autoriteti ynë përkatës, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, përmes Inspektoratit Fitosanitar.”, tha ai

Sipas tij, respektimi i rregullave nga fermerët verifikohet përmes inspektimeve zyrtare, kontrollit të dokumentacionit dhe analizave laboratorike, ndërsa në rast të shkeljeve zbatohen masat e parashikuara me ligj.

Mungesa e informimit të qytetarëve dhe kontrollet e pamjaftueshme institucionale mbeten ndër shqetësimet kryesore sa i përket sigurisë së frutave dhe perimeve në Kosovë, vlerëson kryetari i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.

Ai shpreh dyshime edhe për nivelin e kontrolleve që kryhen në treg, duke theksuar se institucionet nuk mund ta mbikëqyrin tregun pa bashkëpunimin e qytetarëve.

“Obligimi i AUV-së për shembull është që ta kontrollojë 1.5% të produkteve, qofshin ato në import apo në treg. Dhe është vështirë e besueshme që edhe këtë 1.5% e realizon. As AUV-ja, as asnjë mekanizëm tjetër për kontrollin e tregut nuk mund ta mbikëqyrë tregun pa qytetarin konsumator. Por asnjë inspekcion, agjencion, mekanizëm nuk e merr parasysh qytetarin konsumator. Të gjitha punët përpiqen t’i bëjnë vetë dhe i bëjnë shumë keq. Vetëm një inspekcion komunal ka shprehur gatishmërinë që bashkë me organizatën e konsumatorit të bëjë kontrolle në komunën e tij.”, u shpreh Kaçaniku.

Sipas Kaçanikut, konsumatorët duhet të jenë më të kujdesshëm gjatë blerjes së produkteve ushqimore dhe të mos mbështeten vetëm te institucionet. Ai rekomandon që frutat dhe perimet të lahen me sodë bikarbone ose uthull para konsumimit, ndërsa qytetarët të zgjedhin produkte me deklaracion dhe të shmangin blerjen te tregtarët që kanë humbur besimin e tyre.

Eksperti i bujqësisë, Fatmir Selimi, thotë se pesticidet janë të domosdoshme për mbrojtjen e kulturave bujqësore nga sëmundjet dhe dëmtuesit, por thekson se ato nuk paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut nëse përdoren sipas udhëzimeve dhe legjislacionit në fuqi.

Selimi vlerëson se kontrollet aktuale për mbetjet e pesticideve duhet të forcohen. Sipas tij, mungesa e inspektorëve në terren dhe kapacitetet e kufizuara laboratorike paraqesin sfida në monitorimin e produkteve bujqësore, duke ndikuar edhe në procesin e eksportit të tyre.

Ndërsa, për të parë se sa janë të informuar qytetarët për pesticidet dhe ndikimin e tyre në produktet që konsumojnë, KosovaPress ka dalë në tregje për të marrë mendimin e tyre. Disa nga qytetarët e pyetur kanë thënë se nuk kanë njohuri të mjaftueshme se çfarë janë pesticidet dhe se cili është roli i tyre në bujqësi, ndërsa për këtë çështje nuk kanë pranuar të flasin para kamerës.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026