Që nga fillimi i këtij viti, Qeveria e Serbisë u ka dhënë shtetësi katër herë më shumë shtetasve rusë sesa të gjithë shtetasve të tjerë të huaj së bashku.
Në mesin e tyre ka edhe rusë që janë nën sanksione ndërkombëtare, ka konstatuar Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë përmes analizës së vendimeve të qeverisë serbe, transmeton KosovaPress.
Valerij Kazikajev është shtetas i Serbisë që nga 16 janari.
Ai ndodhet në listën e sanksioneve amerikane që nga prilli i vitit 2023, për shkak të lidhjeve të biznesit me oligarkun rus, Alisher Usmanov.Një tjetër bartës i ri i pasaportës serbe është shtetasi rus, Sergej Kondratenko, i cili e mori shtetësinë më 13 nëntor 2025.
Ai ndodhet nën sanksionet ukrainase për “veprime në dëm të interesave kombëtare dhe sigurisë kombëtare”.
Ministria e Jashtme e Ukrainës dhe Ambasada e Ukrainës në Beograd nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve të REL-it lidhur me dhënien e shtetësisë serbe personave që janë nën sanksione ukrainase.
Qeveria e Serbisë ka vazhduar trendin e dhënies gjithnjë e më të shpeshtë të shtetësisë për shtetas rusë, pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit se kjo u mundëson atyre hyrje pa viza në Bashkimin Evropian.
Kjo është theksuar edhe në një non-paper të fundit të Komisionit Evropian, në të cilin REL-i ka pasur qasje.
“Serbia jo vetëm që nuk po vendos sanksione ndaj Rusisë, por në mënyra të ndryshme po e anashkalon politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, tha për REL-in Bojana Sellakoviq nga organizata joqeveritare Konventa Kombëtare për BE-në.
Si vend kandidat për anëtarësim, Serbia ka regjim pa viza me BE-në dhe detyrim për harmonizim të politikës së jashtme me të.
Kush janë personat e sanksionuar me pasaportë serbe?
Valerij Kazikajevit i janë vendosur sanksione amerikane me qëllim “pengimin e mëtejshëm të importit të teknologjive kritike që Rusia i përdor në luftën e saj kundër Ukrainës”.Sipas të dhënave të Zyrës amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja, OFAC, Kazikajev është një nga anëtarët e lartë të menaxhmentit ose bordeve drejtuese të kompanive në sektorin e metaleve dhe minierave të lidhura me Usmanovin — Metalloinvest dhe Udokan Copper.
Kazikajev është, gjithashtu, pronar i kompanisë sllovake KTH Group Spol SRO. Edhe kjo kompani është nën sanksione amerikane.
Oligarku Alisher Usmanov, i afërt me pushtetin në Kremlin, është një nga rusët më të pasur.
Shtetet e Bashkuara e vendosën Usmanovin në “listën e zezë” në mars të vitit 2022.
Në arsyetim thuhet se ai është i afërt me disa zyrtarë të lartë rusë që janë nën sanksione amerikane, përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe Dmitry Medvedevin, zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë.
Ai është gjithashtu nën sanksionet e Australisë, Kanadasë, BE-së, Japonisë, Zelandës së Re, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Sergej Kondratenko, një tjetër shtetas rus që ka marrë së fundmi pasaportë serbe, është sanksionuar nga autoritetet ukrainase.
Këtë e tregojnë të dhënat e degës ukrainase të organizatës Transparency International.
Royal Pay Europe është e regjistruar në Letoni, dhe merret me pagesa elektronike dhe shërbime të tjera financiare.“Sipas materialeve të atij hetimi, gjatë luftimeve në rajonin e Harkivit, kompania u përpoq të riregjistronte të drejtat pronësore mbi pasuritë e paluajtshme të një banke ukrainase që ishte në proces likuidimi”, thuhet nga Transparency International.
Me vendim të Gjykatës së Lartë Kundër Korrupsionit në Ukrainë në vitin 2024, kompanisë iu konfiskua pasuria në atë vend, në vlerë prej rreth 44 milionë dollarësh. Këto para u transferuan në buxhetin shtetëror të Ukrainës.
Igor Koljushev, inxhinier rus i ndërtimit në fushën e urave, është nën sanksione ukrainase që nga viti 2022.
Sipas të dhënave të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Koljushev është drejtor teknik i Institutit Giprostroymost në Shën Petersburg.
Kjo është një nga kompanitë kryesore ruse të specializuara në projektimin e urave dhe objekteve të transportit.
Në prill, shtetësi serbe mori edhe Yakub Zakriyev, nip i udhëheqësit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, por Qeveria e Serbisë e tërhoqi atë vendim katër ditë më vonë.
Zakriyev ndodhet në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkak të përfshirjes së tij në institucionet e Rusisë.
Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve as për dhënien, as për anulimin e shtetësisë për nipin e Ramzan Kadyrovit.
Në shtator të vitit 2025, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), raportoi se së paku katër shtetas rusë kishin marrë shtetësi serbe me vendim të Qeverisë së Serbisë, ndonëse ishin nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë.Shtetësi mori edhe Ruslan Alisultanov, ish-zëvendësministër i Bujqësisë i Çeçenisë dhe biznesmen, i cili sot prezantohet si udhëheqës në industrinë ushqimore të Rusisë.
Portali hulumtues KRIK dhe portali rus Important Stories raportuan në prill të vitit 2025 se në mesin e personave të cilëve Qeveria e Serbisë u kishte dhënë shtetësi kishte disa rusë të lidhur me elitën politike të Kremlinit, dhe me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë, FSB.
Analiza e REL-it tregon se vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, 44 shtetas rusë morën shtetësi serbe me vendim të Qeverisë së Serbisë.
Kjo u konstatua përmes shqyrtimit të vendimeve të Qeverisë së Serbisë për dhënien e shtetësisë, të publikuara në Gazetën Zyrtare.
Ky nuk është numri përfundimtar, sepse edhe Ministria e Brendshme jep shtetësi sipas procedurës së rregullt, nëse plotësohen kushtet e caktuara.
Qeveria e Serbisë mund të japë shtetësi sipas një procedure të veçantë dhe të përshpejtuar ligjore, e cila arsyetohet me “interes për Serbinë”.
Megjithatë, ajo që për autoritetet serbe paraqet “interes për Serbinë”, për BE-në është një “sfidë e mundshme sigurie”.
Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se çfarë do të ndërmarrë lidhur me paralajmërimet e Brukselit, e as se si e shpjegon rritjen e numrit të shtetësisë serbe të dhënë rusëve.
Marko Todoroviq nga organizata joqeveritare Qendra për Politika Evropiane, CEP, thotë se nga Serbia pritet që t’i ketë parasysh interesat e BE-së kur merr vendime që ndikojnë në sigurinë e hapësirës Shengen.Disa vende anëtare të BE-së po bëjnë presion ndaj Komisionit Evropian që të propozojë një ligj që do ta lehtësonte refuzimin e vizave turistike për shtetas rusë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Sipas të dhënave të BE-së, numri i vizave turistike të lëshuara për qytetarët rusë për hapësirën Shengen u rrit gjatë vitit 2025 në gati 480.000 — niveli më i lartë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Disa ikën nga mobilizimi, të tjerë erdhën për të vazhduar pa pengesa biznesin me vendet perëndimore.
Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa janë aktualisht në Serbi deri në publikimin e këtij teksti.
Çfarë rrezikon Serbia?
“Kjo sugjeron se ekziston ndikim rus në pjesë të aparatit politik dhe të sigurisë, të cilat i bëjnë këto ‘shërbime’ me shpresën se do të kalojnë pa u vërejtur, ose madje pa u shqetësuar fare për pasojat e mundshme politike”, vlerëson ai.
Ai thotë se non-paper-i është gjithashtu sinjal se Komisioni do ta ndjekë nga afër mënyrën se si Serbia e zbaton këtë proces, sa i hollësishëm është kontrolli dhe nëse vërtet verifikohet prapavija e aplikuesve.
“E gjithë kjo nuk është në linjë me një shtet që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, sepse rregullat atje janë shumë strikte dhe shumë të qarta”, tha Sellakoviq.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha atëherë se Serbia duhet të vendosë se ku përket, dhe se “balancimi mes Rusisë, Kinës dhe Evropës është i papranueshëm”.
Ai sqaroi se udhëheqësit evropianë ia kishin bërë këtë të qartë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.