Fenerbahçe shpreson ta kthejë Vedat Muriqin, nëse kosovari e lë Majorka-n
Sport
Lexohet për: 1 min.
Dëgjoje me zë...
Fenerbahçe shpreson ta kthejë Vedat Muriqin, nëse kosovari e lë Majorka-n
Fenerbahçe, që është njëri nga klubet më të mëdha të futbollit në Turqi,ka rikthyer në fokus të interesimit ish futbollistin e saj, kosovarin Vedat Muriqi.
Mediet në Turqi raportojnë se për kthimin e mundshëm të sulmuesit të Majorkas në Stamboll, u diskutua edhe gjatë afatit kalimtar të dimrit, por gjërat nuk ecën siç u planifikua.
“Klubi turk zhvilloi bisedime me disa sulmues, përfshirë edhe reprezentuesin e Kosovës, ndërsa së fundmi ka marrë sinjale të reja nga Spanja”, shkruan gazeta Fanatik, përcjellë KosovaPress.
Muriqi pritet të largohet nëse Majorka bie nga elita e futbollit spanjoll, gjë që edhe mund të ndodh, për shkak se ky klub është duke luftuar për mbijetesë.
“Muriqi, i cili është në listën e dëshirave të disa klubeve evropiane, e ka Fenerbahçen si opsionin e tij të parë. Sulmuesi 31-vjeçar është i interesuar të rikthehet dhe të veshë sërish fanellën verdhe e kaltër”, shkruan mëtutje Fanatik.
Fenerbahçe e kishte shitur Muriqin te Lazio për 21 milionë euro në vitin 2020, pasi e kishte transferuar nga Rizespor për 5.6 milionë euro në vitin 2019. /KosovaPress/