Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të dielën në mëngjes, ka përditësuar të dhënat e fundit nga progresi i arritur pas gjashtë ditë pune pas ditës së zgjedhjeve të 7 qershorit.
Pas përmbylljes në Qendra Komunale të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe numërimit të fletëvotimi nga votimi në përfaqësi diplomatike, KQZ është në fazën e fundit të numërimit të fletëvotimeve.
Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka shpjeguar se deri në përfundim të ditës së shtunë janë numëruar 36 kuti votimi, në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së.
Ai ka sqaruar se “sipas procedurave, zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime, pas procesit të vlerësimit janë sistemuar në kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar. Deri në këtë kohë, janë përgatitur dhe regjistruar në platformën e rezultateve 156 kuti votimi. Të tjera kuti votimi do të shtohen në këtë platformë derisa të përmbyllet procesi i vlerësimit të të gjitha pakove të tërhequra nga kutitë postare të KQZ-së”.“Deri në përfundim të ditës së shtunë (13 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë 75,590 pako, prej të cilave janë aprovuar 72,746, ndërkaq janë refuzuar 2,844”, tregoi Elezi.
Sipas KQZ-së, arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,571 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ. Po ashtu, arsyet e tjera, më pak të shprehura, lidhen me rastet kur në një pako janë përfshirë më shumë se një fletëvotim ose më shumë se një person (177), kur votuesi ka dërguar pakon nga një shtet tjetër nga ai ku ishte regjistruar për votim (21), kur në pako është gjetur vetëm dëftesa e regjistrimit pa fletëvotim (27), kur ka munguar pulla apo vula postare (5), si dhe me një rast kur fletëvotimi është shtypur. Sipas të dhënave të KQZ-së, janë evidentuar edhe 42 zarfe të dërguara gabimisht.