Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, ka shprehur shqetësimin për qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj projekteve energjetike me mbështetje amerikane, duke paralajmëruar se vendi nuk duhet të izolohet nga zhvillimet strategjike që lidhen me politikën energjetike të Shteteve të Bashkuara në Ballkan.
Në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, Hasani tha se çështja e gazit amerikan nuk duhet parë vetëm nga prizmi ekonomik, por si pjesë e një strategjie më të gjerë gjeopolitike.
“Çështja e gazit amerikan është çështje e politikës globale amerikane, është segment për Ballkanin. Kosova nuk guxon të mbetet jashtë. Dhe unë mendoj që edhe partitë opozitare duhet të jenë pak më dinamike, më të vëmendshme, më të ndërgjegjshme për këtë, sepse pushteti shihet qartë që ka pasur e ka rezerva ndaj secilës politikë të jashtme amerikane. Jo vetëm tash, por edhe në administratën e zotit Biden ka pasur mospajtime që e ofrojnë Kosovën, gati-gati, tek vendet që kanë politika aktive antiamerikane. Kjo është, si të thuash, gati ka ndezur drita e kuqe. Mund të ndodhë që edhe hiqet maska shumë shpejt. Dhe kjo është gabim. Pse? Sepse kjo është një çështje e orientimit gjeopolitik të Kosovës, që s’mund të jetë prerogativë e asnjë partie. Në qoftë se thua ti, unë do ta marr gazin prej Vlorës, pastaj shtrohet çështja: po ti pse me marrë? Se kjo është gjeopolitikë. E po merre atëherë prej Maqedonisë këtu në truall, më afër është”, tha ai.
Ai argumentoi se është e paqartë se si një projekt i tillë mund të justifikohet me argumente mjedisore, ndërkohë që më herët janë kundërshtuar projekte të tjera energjetike për shkak të ndikimit në ambient.
Hasani paralajmëroi se mospërfshirja në gazin amerikan dhe zvarritja e projekteve për rritjen e pavarësisë energjetike mund ta detyrojë Kosovën të vazhdojë të importojë energji elektrike me kosto të larta për vite me radhë.
Debati për orientimin energjetik të Kosovës është rikthyer në qendër të vëmendjes pas deklaratave të së ngarkuarës me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, e cila i bëri thirrje Kosovës që t’i bashkohet projektit rajonal të gazit natyror të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Një natë para zgjedhjeve të 7 qershorit, kryeministri në detyrë Albin Kurti deklaroi se ekzekutivi mbetet i interesuar për përdorimin e gazit, por përmes një modeli që e lidh Kosovën me infrastrukturën energjetike në Shqipëri dhe terminalin e gazit të lëngshëm në Vlorë, duke përmendur gjithashtu mundësinë e shfrytëzimit të teknologjive amerikane për gazifikimin e linjitit.