“Teksa njeriu lexon Memorandumin e turpshëm të Studentëve në bllokadë për Kosovën, nuk e di nëse po dëgjon Vuçiqin, Sheshelin, Dobrica Qosiqin apo programin propagandistik të RTS-it nga viti 1991. Por, studentë, çfarë keni planifikuar me shqiptarët e Kosovës, ata afro dy milionë njerëz që nuk duan të jetojnë në ‘Çetnolendin’ tuaj? T’i dëboni, t’i asimiloni, t’i vrisni? Fatmirësisht, askush nuk ju pyet për asgjë, e sidomos jo banorët e Kosovës së pavarur.”
Shkruan: Dragan Bursać, për portalin Radiosarajevo.ba
Sheshel, a je ti?
Pastaj erdhi Memorandumi i Studentëve në bllokadë, “për Kosovën dhe Metohinë”, dhe zhveshi gjithçka deri në palcë.Sepse lexojeni me kujdes atë dokument. Lexojeni pa emocione. Pa tifozllëk. Pa përfytyrimin romantik për “fëmijët që do ta ndryshojnë Serbinë”.
“Pjesë e patjetërsueshme e Serbisë.” “Vlera testamentare.” “Hapësirë shpirtërore.” “Identitet serb.” “Fushëbetejë e lagur me gjak.”
Ku janë shqiptarët në atë histori?
Sikur Kosova të mos ishte një vend ku jetojnë njerëz, por një Disneyland mitik i serbizmit me manastire dhe gusla (lahuta) në sfond.
Dhe aty qëndron fija e tmerrshme e vazhdimësisë së nacionalizmit serb. Nga Garashanini, përmes Memorandumit të SANU-së, deri te këta “studentë bllokues”. Në atë ideologji, populli tjetër ekziston vetëm si pengesë. Si gabim statistikor. Si një bezdi e përkohshme që duhet larguar, shtypur ose disiplinuar.
Sepse nëse Kosova është “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, nëse për këtë “nuk negociohet”, nëse kjo është “imperativ moral”, atëherë çfarë bëni me popullsinë që nuk dëshiron të jetojë në Serbi dhe në një Kosovë të tillë? A do t’i dëboni? T’i asimiloni? T’i burgosni? T’i vrisni?
Sepse historia na mëson se projektet e Serbisë së Madhe gjithmonë arrijnë në të njëjtën pikë. Në momentin kur kuptojnë se në “tokën e shenjtë” jetojnë njerëz të tjerë, fillojnë kamionët frigoriferikë, kampet, varrezat masive dhe spastrimi etnik. Serbia këtë tashmë e ka bërë në Kosovë.
Dhe tani shfaqen studentët, gjoja “vertikalja e re morale e Serbisë”, dhe shkruajnë memorandum për Kosovën pa asnjë fjali të vetme për popullin shqiptar, pa përmendur krimet, pa përmendur përgjegjësinë e Serbisë, pa përmendur realitetin se Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht nga shumica e botës demokratike.
SANU me TikTokSepse dallimi mes Vuçiqit dhe këtyre studentëve nuk është ideologjik. Dallimi është vetëm në fazën e zhvillimit. Vuçiqi e ka shndërruar nacionalizmin në regjim, këta ende e mbajnë si seminar universitar ose si shëtitje rrugësh. Por matrica është e njëjtë.
Miti në vend të realitetit. Territori më i rëndësishëm se njerëzit. Kombi më i rëndësishëm se jeta. Betimi i Kosovës më i rëndësishëm se e ardhmja.
Pikërisht për këtë ky memorandum është më i rrezikshëm sesa duket në shikim të parë. Ai tregon se një pjesë e mirë e rinisë serbe nuk ka dalë nga vitet ’90 dhe narrativat e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Vetëm i kanë modernizuar estetikisht. Në vend të daulles së luftës është “story” në Instagram. Në vend të mitingut të Millosheviqit është plenumi studentor. Kokarda mbetet. Dhe thelbi mbetet i njëjtë.
Dhe pastaj njerëzit në rajon çuditen pse ekziston frika nga “bota serbe”.
Nekrologji e një gjenerate
Sepse Serbia e lirë që ende ëndërron Kosovën si plaçkë nuk është shtet i lirë. Është vetëm fytyrë e modifikuar e të njëjtës fantazi imperialiste.
Dhe më e trishta nga të gjitha? Këta studentë kishin një shans historik. Mund të ishin gjenerata që do të thoshte: “Mjaft me gënjeshtra.” “Mjaft me eshtra.” “Mjaft me mite për shkak të të cilave rajoni rrjedh gjak.” “Kosova nuk është zemra e Serbisë, por shtet fqinj ku jetojnë njerëz të lirë.”
Ky është nekrologji politike e (edhe) një gjenerate të humbur, të lënë pas dore dhe të shkatërruar.
Fatmirësisht, ata pyeten për të ardhmen e Kosovës po aq sa bora e vitit të kaluar!