Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës ka fituar procesin gjyqësor ndaj kishës serbe, pasi që kjo e fundit kishte pretenduar se Kisha Ortodokse e Kosovës nuk është legjitime. Ndërkohë, që nga sot e tutje të gjitha besimtarët ortodoks shqiptarë mund të regjistrohen në këtë kishë.
Kryepeshkopi i kësaj kishe, Nikolla Xhufka për KosovaPress, tha se ky gjyqimi kishte qëllim legjitimitetin e Kishës Ortodokse Autoqefale e Kosovës.
“Ky gjyq që është kryer, ka si qëllim legjitimitetin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës. Për mendimin tim, nuk është dashur të bëhet sepse Kushtetuta e thotë mjaft qartë që çdokush ka të drejtë të besojë në atë që dëshiron. Dhe kisha serbe e ka kthyer fenë në parti politike. Ai që është i krishterë, nuk merret me përçarje. Unë, në qoftë se më lejoni, i bëj thirrje edhe shtetit, edhe policisë, ta shpallë të padëshirueshëm patriarkun e Serbisë, sepse ai sa herë vjen në Kosovë thotë: ‘Kosovë është zemra e Serbisë’ dhe kjo është përçarje fetare, etnike, kulturore, shpirtërore e të gjitha”, tha Xhufka.
Ky nuk është procesi gjyqësor i vetëm që po zhvillohet mes dy palëve, është edhe ai për Manastirin e Podujevës ku kisha serbe pretendon që është në pronësi të saj.Lidhur me këtë, ai tha se të gjitha kishat dhe manastiret shqiptare që janë uzurpuar nga kisha serbe, do të rikthehen në pronësi të tyre.
Në anën tjetër, sot ka nisur edhe regjistrimi i besimtarëve shqiptarë ortodoksë në këtë kishë. Sipas Xhufkas, deri tani ka shumë interesim por që është ditë vikendi, shumë prej këtyre besimtarëve që jetojnë jashtë Prishtinës, e kanë më të vështirë të vijnë dhe bëjnë regjistrimin.
Në fund kryepeshkopi i kësaj kishe, Nikolla Xhufka u shpreh optimist se numri i besimtarëve të regjistruar do të rritet gjatë ditëve në vijim.