Nëntëmbëdhjetë vite heshtje
Lajme
Lexohet për: 7 min.
Dëgjoje me zë...
Nëntëmbëdhjetë vite heshtje
vasfije-krasniqi
14/04/2026 - 16:28
Linku u kopjua

(shkëputur nga Rrëfimi për Vasfijen - Buqen)

Shkruan: Nafi Krasniqi

Ka dhembje që nuk shërohen asnjëherë. Ato rikthehen herë pas herë. Madje, ka të atilla që sa vijnë e bëhen më agresive. E tillë është edhe dhembja e Buqes. Përvoja e Buqes nuk është rrëfim i përjetimit të një dite të vetme, por ai është, rrëfim i pashkëputur për një jete të tërë të kaluar me dhembje.

Në Pranverën e vitit 1999, Kosova po digjej. Fshatrat boshatiseshin, njerëzit dëboheshin, gratë dhe vajzat të pambrojtura i mbesnin përballë një makinerie vrastare e dhunuese. Dhuna kishte kaluar çdo kufi. Përderisa, dhuna seksuale - përdhunimet ishin shndërruar në mjet lufte, në strategji terrori, në armë e cila përdorej për të shkatërruar, femrën, familjen dhe kombin shqipëtar.

Atëbotë, Vasfija ishte fëmijë, një vajzë gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Ajo ëndërronte jetën krejt ndryshe, të mbushur me dashuri e gjëra të mira, ashtu siç ëndërrojnë fëmijët. Gjithashtu, ajo ishte një fëmijë i pambrojtur, në një vend, ku ligji dhe e drejta kishin pushuar së ekzistuari për shqiptarët përfshirë fëmijët.

Në ditën e mërkurë të 14 Prillit, ajo u rrëmbye nga policia serbe. Pa asnjë faj të vetëm. I vetmi faj i saj ishte se ajo ishte, shqiptare, dhe si e tillë ajo ishte bërë subjekt i planeve gjenocidale të Serbisë. Ajo që pasoi nga ky akt nuk mund të përshkruhet lehtë, madje as tani kur kanë kaluar 27 vite.

Dhuna e ushtruar ndaj Vasfijes nuk ishte akt individual kriminal, por ai ishte pjesë e një plani të gjerë e të organizuar kundrejt popullsisë shqiptare. Në kohën kur, mbi Buqen por zbatohej njëri nga krimet më monstruoze, e njëjta u kishte ndodhur, po u ndodhte apo do t’u ndodhte edhe 20 mijë grave dhe burrave, djemve dhe vajzave, duke mos përjashtuar as fëmijët, si rasti i Jetës 7 vjeçare e cila nuk i mbijetoj krimit. Krimi po kryhej nga pjesëtarë të aparatit shtetëror serb, të uniformuar por edhe civilë serb të cilët mbështeteshin nga mekanizma shtetëror, për realizimin e projektit të tyre.

Pas 14 prillit, lufta për Buqen por edhe për 20 mijë viktima nuk përfundoi. Ajo vetëm ndryshoi formë. Mes viktimave dhe të tjerëve u krijuar një mur i cili ndante ato nga të tjerët. Viktimat po përjetonin betejë pas beteje. Që nga detyrimi për të heshtur, paragjykimet, stigmatizimi, injorimi, e forma të tjera, të cilat u rëndonin jetën edhe më shumë. Ato po kalonin një agoni të pashpjegueshme, dhe nuk gëzonin asnjë të mirë që kishte sjellë liria. Në Kosovën e pasluftës, u fol për gjithçka, për çdo vlerë të mundshme. Por kurr për këtë kategori.

Vetëm pas presionit të vazhdueshëm të organizatave të ndryshme, të cilat ishin marrë që nga paslufta me këtë kategori, dhe një numri aktivistësh të shoqërisë civile, institucionet shtetërore filluan të kthenin vëmendjen drejtë kësaj kategorie. Por kjo, nuk mjaftonte. Kërkohej diçka më shumë, në mënyrë që shoqëria dhe institucionet ta kuptonin se kjo kategori ishte vetë shoqëria. Ndërsa, viktimat po bënin jetë të dyfishtë. Ato i shmangeshin publikut dhe çdo forme që mund t’i identifikonte ato. Kështu pas nëntëmbëdhjetë vite heshtje e fshehjeje erdhi momenti që e vërteta të thuhet hapur, pa mbulesë, pa frikë. Erdhi Vasfija – Buqa, e cila ulur në karrigen e zezë do të rrëfente njëren nga historitë më të errëta të Kosovës në fund shekullin e kaluar.

Vasfija e dërrmuar nga vuajtjet si rezultat i krimit, por edhe mohimit të drejtësisë, kishte vendosur që përfundimisht që publikisht të rrëfej përvojën e saj, por përtej përvojës personale ajo do të rrëfente edhe për vuajtjet dhe sfidat me të  cilat ballafaqohen viktimat e këtij krimi makabër. Me këtë rast, ajo do të denonconte padrejtësitë familjare e shoqërore që po i bëheshin viktimave.  

Ky hap i Vasfijes nga shumëkush është vlerësuar si hap vendimtar në luftimin e stigmës, segregimit, paragjykimeve dhe stereotipeve të ndryshme shoqërore. Reagimi qytetar ka qenë i menjëhershëm. Krijohej përshtypja se shoqëria sikur u këndell nga “përgjumja” e mohimit të njërës nga historitë më të dhimbshme që kishte përjetuar populli shqiptarë në fundshekullin e kaluar.

Në një shoqëri ku dominonin mendimet arkaike dhe patriarkale, viktimat e dhunës seksuale, fajësoheshin për atë çfarë u kishte ndodhur. Ato cilësoheshin si turp i familjes dhe shoqërisë. Sipas tyre, ajo që u kishte ndodhur atyre, konsiderohej se ka zhvlerësuar nderin dhe krenarinë e kombit. Por dëshmia e Vasfijes, vërtetoi atë se, viktimat kishin mbetur nën mëshirën e makinerisë së pandalshme të aparatit shtetëror serb, i cili po zbatonte gjenocidin kundrejt shqiptarëve. Deklarimet se, viktimat kanë mundur t’i shpëtojnë dhe t’i rezistojnë gjenocidit serb, janë edhe një formë e padrejtësisë që u bëhet atyre.   

Në ditën e rrëfimit të Vasfijes, ajo u shndërrua në aktore të një historie të dhimbshme. Por, sado e brishtë që mund të dukej, sado që në sytë e saj mund të shihej vuajtja e cila e kishte rënduar shëndetin e saj, megjithatë po në ata sy, shfaqej optimizmi për viktimat tjera, se Vasfija, me ambivalencën e saj po hapte portën e shpresës dhe ndizte dritën brenda secilës viktimë. Ato filluan të shpresonin se vuajtjes dhe agonisë së tyre po u vinte fundi. Gjithashtu, Vasfija, po reflektonte se zemra e saj është e mbushur me besim për një të ardhme më të mirë, ku viktimat nuk do të paragjykohen, bullizohen, dhe segregohen, siç u kishte ndodhur deri tani. 

Rrëfimi i Vasfijes, kalon kufijtë e personales, ai është mesazh sa juridik aq edhe historik, sa moral aq edhe patriotik, sa njerëzor aq edhe i shenjët, sepse, askush nuk kishte arritur të bënte diçka të tillë. Ai edhe sot qëndron si një postulat i cili rrënoj përfundimisht murin që ndante viktimat nga të tjerët, si dhe propagandën dhe zërat mohues se në Kosovë nuk kanë ndodhur përdhunime gjatë luftës. Me këtë qasje secili madje edhe pa vetëdije po i shërbente armikut.  

Pas 16 tetorit 2018, kur ajo rrëfeu publikisht, u përball me kërcënime, fyerje, ofendime, me sulme publike dhe jopublike. Pavarësisht të gjithave, Vasfija, nuk u tërhoq dhe nuk do të tërhiqet. Përderisa, sot, rrëfimi i Vasfijes, por edhe vetë Vasfija është pjesë e historisë së Kosovës. Ajo sot është dëshmi e gjallë, dhe troket thellë në ndërgjegjen e secilit se liria që sot gëzojmë erdhi si rezultat i vuajtjeve të pafundme. Gjithashtu, ajo është kujtesë se: paqja nuk arrihet vetëm pasi që lufta ka pushuar apo me uljen e armëve, por vetëm atëherë kur viktimat arrijnë drejtësi.

Për më tepër, Vasfija, është dëshmi se njeriu edhe pas një thyerje kaq të rëndë, ai mund të qëndrojë. Përderisa, e vërteta, sado e thënë vonë, ka forcën t’i rrëzojë heshtjes dhe të mund të pavërtetën.

(Nafi Krasniqi, është vëllai i Vasfije Krasniqit, gruas së parë që u deklarua publikisht të jetë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës. Artikulli është shkruar enkas për 14 Prill, datën që shënon tmerrin për Vasfijen, por që tani shënohet si Dita memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës)


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026