Mesazhi i Pashkëve: triumfi i jetës mbi vdekjen, i së vërtetës mbi mashtrimin dhe i dashurisë mbi urrejtjen.
Gjatë vizitës “festive” në Kosovë, kryepatriarku serb, Porfirije bën thirrje për “vepra konkrete që dëshmojnë dashurinë për Kosovën dhe Metohinë”.
Ai kërkon vepra konkrete dhe kamuflohet në ligjërimin “që besimtarët ta gjejnë vëllain edhe te armiku”, por vetëm disa ditë pas letrës dërguar Vatikanit, SHBA-së, BE-së e Rusisë kundër Ligjit të Kosovës për të huajt, duke përdorur propagandën zyrtare të “rrezikut ekzistencial” për serbët në Kosovë.
Predikon Jezusin dhe lutet për kujdes ndaj serbëve në “Kosovë e Metohi”, ndërsa vazhdon ta ngulfasë të VËRTETËN, e nuk reflekton mbi trashëgiminë e bekimit të kriminelëve të luftës dhe thirrjeve nacionaliste kundër shqiptarëve.
Në një vijë me politikën hegjemoniste të “tokës së shenjtë” (Kosova dhe Metohija), e konfirmuar edhe nga Parlamenti i Serbisë gjatë fundjavës, që lartësonte kriminelin Mlladiq, i dënuar nga Haga për gjenocid dhe krime të luftës.
Një kombinim perfid i shtetit dhe fesë, që projekton mobilizim nacionalist dhe manipulim ndërkombëtar, por që në esencë abuzon dhe fyen mesazhin e Pashkëve.
Zoti nuk është serb, nuk jep mesazhe nacionaliste dhe nuk i bekon kriminelët e luftës. Zoti nuk nxit urrejtje dhe nuk e predikon sundimin mbi Kosovën.
Ky shërbim kishtar ndaj politikës hegjemoniste ruso-serbe është shërbim ndaj Djallit, është thirrje implicite për dhunë dhe gjak, si me Millosheviqin në Bosnje, Kroaci e Kosovë, me Radoiçiqin në Banjskë dhe me Putinin në Çeçeni, Gjeorgji e Ukrainë.
Ligjërimi kishtar i sundimit, bekimit të kriminelëve dhe Zotit “serb”, është mëkati më bizar që mund ta bëjë një Shtëpi e Zotit, prandaj Bota (Vatikani, SHBA, BE, UNESCO, etj.) duhet t’ia përplasë të vërtetën me forcë dhe ta ndalë këtë mallkim për paqen e sigurinë, në Ballkan dhe kudo.
Arben Fetoshi - Octopus Institute
/Kosovapress/