9 vjet luftë, prej 61 vjetësh jetë!
Opinione
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
9 vjet luftë, prej 61 vjetësh jetë!
Sahit Jashari
15/06/2026 - 16:33
Linku u kopjua

Shkruan: Ahmet Jashari

Prej 61 vjetësh jetë, 9 vjet i kishte luftë. Prej vitit 1990, kur kishin nisur rrugëtimin drejt lirisë me grupin e Adem Jasharit, e deri në vitin 1999, kur ishte çliruar Kosova, Sahit Jashari, i ka kaluar me pushkë në dorë (aksione, prita, istikame...).

9 vjet luftë! 9 vjet, në borë e shi, natën dhe ditën. 9 vjet plagë, dhimbje, shpresë... 9 vjet pa menduar për veten, 9 vjet duke e bërë lirinë që ne të mos vritemi në rrugët dhe shtëpitë tona nga policia dhe ushtria serbe, të mos burgosemi dhe maltretohemi për faktin se jemi shqiptarë...

Ai e bëri të veten dhe iku. Nuk e përmendi luftën, nuk u krekos asnjëherë, madje nuk na e la as rrëfimin e tij krejt të veçantë për 9 vjet luftë. Ai nuk kishte asnjë plan tjetër pos lirisë!

Komandant Sahit Jashari, nuk ishte vetëm simbol i luftës, ishte simbol edhe i lagjes Jashari. Trim e kurajoz gjatë luftës, i hareshëm e plot humor në liri. I hijeshonte dasmat, i lehtësonte vdekjet. Prekazi nuk është i njëjtë pa të!

Të dielën u mbyll e pamja për Sahitin, djalin e Hamitit e Salës, prindërve që rritën djem për atdhe, prindërve që ranë për atdhe. Sahiti u bashkua me Ademin e Hamzën, me 13 anëtarët e familjes që ranë, me 59 të rënët e lagjes, me Ilaz Kodrën, me Fehmiun e Xhevën, me Zahirin, me Luanin e Shkëlzenin...

Sahit Jashari nuk është trembur nga vdekja asnjëherë. Ai nuk e kishte zgjedhur rrugën e lehtë asnjëherë, ai kishte zgjedhur të përballej.

9 vjet luftë! Për çka? Për kë? Për liri! Për fëmijët, për të rinjtë, për mua, për ty!  Po ne? Sa pak jemi mirënjohës për lirinë, shtetin, për rrugët, për shkollat... Sa pak i nderojmë, sa shumë i ofendojmë!

E ata na falin prapë, meqë na njohin mirë. Na kanë pa duke ikur kur ata qëndronin. Na kanë pa duke drekuar, kur ata luftonin. Na kanë dëgjuar duke i sharë pse ne nuk guxonim! Ata janë të qetë dhe të përmbushur. Ata janë plotë dashuri dhe pa asnjë urrejtje. Ata do të mbeten, për dallim prej nesh!


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026