U zbulua armiku i fundit. Është Albin Kurti. Disa dhjetëra shqiptarë të Kosovës që morën pjesë në protestën më madhështore të tre dekadave të fundit në Shqipëri kanë shqetësuar pa masë Edi Ramën. U gjet koka e turkut. Komanda u dha dhe 24 orët e fundit Rama, pasuar nga gjithë sharësit e tij me pagesë, nisi një fushatë deziformimi duke u rrekur të na mbushë mendjen se nuk ka kurrfarë zemërimi të një populli të plaçkitur në mënyrë sistemike e së fundi të tërhequr zvarrë rranishteve të Nartës, shkruan analisti nga Tirana, Ilir Babaramo.
Jo dhe jo. Kurrë jo. Gjithnjë sipas tij, kjo që po ndodh është një gjellë e keqe, gatuar në kuzhinat antishqiptare, ku shefat janë herë antisemitë, herë grekë e serbë, herë gardistë të Iranit herë antitrampistë apo sorosistë. Dje u servir ëmbëlsira. Eshtë Vetëvendosje, qershia mbi tortë , Albin Kurti. Paranojë kaq perfide dhe infantile në të njëjtën kohë nuk kemi parë as tek Enver Hoxha në muzgun e jetës së tij.
Gjatë pesë viteve të fundit, besoj se mbani mend se Kosova dhe qeveria e saj kanë qenë nën sulm të përhershëm nga Edi Rama. Kujtoni Ballkanin e hapur, projektin që e kthen hapësirën shqiptare në një koloni ekonomike të Serbisë. Besoj i mbani mend deklaratat e Ramës drejtuar Evropës për të mirëkuptuar Serbinë dhe për të mos I vendosur sanksione. Dhe si për ironi të fatit ishte Rama i pari që I vendosi sanksione Kosovës duke anuluar mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. Besoj e mbani mend si shpalli një projekt për themelimin e Zajednicës, projekt tashmë i harruar dhe nuk dihet kush fshiu së fundi b…me atë.
Shpresoj nuk keni harruar që e deklaroi Veriun “tokë të askujt” si shkumonte në konferenca të përditshme shtypi kundër shtrirjes së sovranitetit në krejt territorin e Kosovës. Madje në njërën prej tyre thirri në ndihmë jugosllavin e fundit të të gjithë Ballkanit, Abazovicin. E mbani mend zgërdhitjen e këtij të fundit kur kryeministri shqiptar e krahasoi Lulëzim Hetemin me Oso Kukën me një ton përbuzës për të dy. Vetëm tre vjet kanë kaluar nga ajo stuhi propagandistike. Besoj se Banjska dhe gjendja aktuale e Veriut nuk do shumë mend për ta kuptuar se kujt koha i dha të drejtë.Një makinë infernale propagande funksionon në mënyrë të frikshme. Kaq e pacipë është sa nëse i beson ato që thuhen të duket se Vlora Citaku dhe Urani i Bon Vivant lanë leshtë për atdhe duke mbrojtur UÇK-në nga sulmet e Shqipe Selimit dhe Ejup Maqedoncit. Prisni sot në mbrëmje që shumica e emisioneve në Prishtinë të dalë të mbrojë Edi Ramën. Shumë analistë me pagesë do ta lënë pas dore për ca dite tezën e tyre të fundit, tezën e bashkimit të votave me Listën serbe për të rrëzuar Albin Kurtin.
Sahanlëpirësit e Ramës shqetësohen nga ata dhjetëra shqiptarë të Kosovës që erdhën të protestojnë në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Nuk shqetësohen që përnatë shqiptarët duhet të dëgjojnë ca jashtëqitje të Kosovës. Duhet të durojnë belbëzimet absurde e megalomane të atij që në Prishtinë njihet si tre breza udbash, apo të një tjetri që ka llogari të pambyllura me UÇK-në , hesape që filluan me mbyllje në bunar si bashkëpunëtor të pushtuesit dhe përfunduan në ortakëri biznesi me rojet e Urës.