Arben Fetoshi, drejtor i Institutit “Octopus”
Teksa merr ca rreze në brigjet e Egjeut, simbolika e plazhit dhe dy mendimtarë të shquar e gozhdojnë Vuçiqin dhe mashtrimin e madh të Vidovdanit.
Shumë më vonë, 35 vjet më parë, Ukshin Hoti ia kujtonte Serbisë se historia nuk mund të komandohet dhe se interpretimet për interesa hegjemoniste, e bëjnë Kosovën kult të robërisë së saj (Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare, Rozafa, 1995).
Më shumë se 27 vjet pas luftës dhe pavarësisht “bashkëjetesës” pa dallime në plazhet e Egjeut, Serbia e Vuçiqit vazhdon ta instrumentalizojë historinë, duke ushqyer mitin që e ka gjakosur atë.Sakralizimi dhe Beteja e Kosovës
Një ngjarje historike e përpjekjeve të Ballkanit kundër zgjerimit osman (Muhadri, 2021; Malcolm, 1998), tenton të përvetësohet si një moment themelor i identitetit serb dhe si “dëshmi” për të drejtën e përjetshme mbi Kosovën (Koviç, 2023; Kisha Ortodokse Serbe, Dioqeza Rashkë-Prizren).
Më 1999, bombardimet e NATO-s diktuan ndryshim narrative, por thelbi mbeti njësoj: mohim i krimeve, Kosova është “zemra e Serbisë”, e “grabitur përkohësisht” nga agresioni perëndimor.
Sakralizohet, që të mos negociohet. Me shenjtërinë nuk bëhet kompromis. Në Bruksel shkohet për ta fituar “konstruktivitetin”, por s’mund të pranohet realiteti ‘tokësor’ me Republikën e Kosovës.
Në këtë mënyrë, Vidovdani i shërben refuzimit dhe e pengon normalizimin e raporteve. Nëse e vërteta e Heraklitit nuk i bezdis për shkak të detit të pafund të mundësive të modernitetit, e vërteta e Ukshin Hotit është e rëndë dhe e pakapërcyeshme.
Viktimizimi në provën e Ukshin Hotit
Një betejë e humbur me osmanët, por “i flijuar për mbrojtjen e Krishterimit”. Ky është narracioni kishtar për princin Llazar që zgjodhi “Mbretërinë Qiellore”, mbi të cilin është kultivuar sakralizimi i Kosovës. Një amalgamë e të dhënave selektive të ngjarjes me martirizimin kishtar, për ta “shenjtëruar” Kosovën si themel të identitetit serb. Ky viktimizim “elaborohet” si e vërtetë historike në libra, predikime fetare e ligjërime politike, deri në ditët e sotme.
Rëndësi ka që bombardimet e NATO-s, të cilat e penguan spastrimin etnik, të kornizohet si agresion, dhe Beteja e Kosovës, Vidovdani e Gazimestani të vazhdojnë të përdoren si instrumente të luftës narrative për Kosovën.
Në këtë kuadër, viktimizimi është strategji për shmangien e përgjegjësisë lidhur me krimet e luftës në Kosovë dhe propagandë për mobilizim emocional, e certifikuar përmes klerit fetar. Sot, viktimizimi shënjestron institucionet shtetërore, Policinë e Kosovës dhe sistemin e drejtësisë.Millovan Drecun tenton “ndërrimin e roleve”, duke i cilësuar arrestimet e serbëve lidhur me Reçakun si përpjekje për margjinalizim të krimeve të UÇK-së në prag të vendimit të Hagës. Vetë ka deklaruar se i kanë furnizuar Dhomat e Specializuara me mijëra faqe dëshmi (RTS, 2023), por për çudi nuk paskan arritur t’i zbulojnë “krimet e UÇK-së” ndaj 500 serbëve të zhdukur në Kosovë?!
Ndërkohë, për ta relativizuar përgjegjësinë e tyre, e mohojnë Reçakun si “komplot” (YIHR, 2019), për shkak të peshës së ambasadorit Walker, por nuk e çelin gojën për Krushën, Fortesën, Celinën, Mejen e 150 masakrat e tjera në Kosovë.
Fakti që edhe 27 vjet pas luftës fabrikimet kundër UÇK-së qarkullohen e rikthehen në komunikimin strategjik serb, e vërteton dimensionin e tyre politik dhe ndërkombëtar.
“Terrorizmi i UÇK-së” është narrativë që godet dyfish: Kosovën e pavarur dhe “padrejtësinë” e Perëndimit. Përdoret për ta justifikuar militarizimin si “mbrojtje” përmes rreshtimit me Rusinë e Kinën dhe për ta nxitur mobilizimin e brendshëm përmes “viktimizimit” e Vidovdanit.
Në lojën e pushtetit, Vuçiq shërbehet me simbolikat e krenarisë, fuqisë dhe zhvillimit ekonomik. Organizon aktivitete dhe liturgji frymëzuese para Vidovdanit, mobilizon mbështetje elektorale në Beograd dhe demonstron sisteme të reja luftarake më 28 qershor. (RTS, 25.06.2026).
Pavarësisht vendimit të GJND-së (ICJ, 22.07.2010), njohjes së Kosovës nga 121 shtete dhe përpjekjeve për normalizim në kuadër të procesit të Brukselit, Vuçiq vazhdon të thirret në të drejtën ndërkombëtare, të ankohet në padrejtësinë e Perëndimit dhe të zotohet për kthimin e “tokës së tyre” (Kosovo Online, 21.03.2026).
Sipas tij, Herakliti nuk ka të drejtë nëse nuk i jep të drejtë Serbisë. Për këtë arsye, Vidovdani është një operacion hibrid që duhet të demaskohet:
- Serbia nuk mund ta evitojë përgjegjësinë shtetërore për krimet dhe gjenocidin në Kosovë;
- NATO nuk është agresor, por forca që pengoi spastrimin etnik të Kosovës.