Botërori 2026
Mbappe ul euforinë: Nuk kemi arritur ende asgjë
Franca ka siguruar një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Marokun me rezultat 2:0, por kapiteni Kylian Mbappe ka bërë të qartë se “Les Bleus” nuk kanë ndërmend të festojnë para kohe. Sulmuesi francez theksoi se skuadra e Didier Deschamps mbetet e përqendruar te objektivi kryesor, fitimi i trofeut, dhe se kualifikimi në gjysmëfinale është vetëm një hap në rrugëtimin e tyre. “Ka ende shumë rrugë për të bërë. Sigurisht që jemi të lumtur që fituam dhe u kualifikuam, por ende nuk kemi arritur objektivin tonë. Nuk duhet të humbasim fokusin”, deklaroi Mbappe pas ndeshjes. Franca dominoi përballjen ndaj Marokut dhe fitoi 2:0 falë golave të Mbappes dhe Ousmane Dembeles, duke siguruar për herë të tretë radhazi një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Mbappe realizoi golin e tij të tetë në këtë edicion të turneut, duke u ngjitur në krye të listës së golashënuesve dhe duke konfirmuar edhe një herë rolin e tij vendimtar në suksesin e kampionëve të botës. Në gjysmëfinale, Franca do të përballet me fituesin e çerekfinales mes Spanjës dhe Belgjikës, ndërsa synon të arrijë finalen e tretë radhazi në Kupën e Botës. KosovaPress
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026