Trajneri i Marokut, Mohamed Ouahbi, ka deklaruar se skuadra e tij nuk ka përgatitur ndonjë plan të veçantë për ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës kundër Francës, por ka theksuar se ekipi duhet të jetë në nivel në çdo aspekt për t’u përballur me një nga favoritët e turneut.
Në konferencën për media të mbajtur të mërkurën, Ouahbi konfirmoi se sulmuesi Ismael Saibari nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e së enjtes, pasi pësoi një dëmtim në kofshë gjatë fitores ndaj Kanadasë në fazën e 1/16 së finales.
Saibari ishte një nga lojtarët më të dalluar të Marokut në këtë Botëror, duke shënuar në të tria ndeshjet e fazës së grupeve, ndërsa realizoi edhe penalltinë vendimtare në triumfin ndaj Holandës.
Duke folur për përgatitjet taktike, Ouahbi tha se skuadra e tij do t’i qëndrojë besnike stilit të lojës.Sipas tij, Maroku ka dëshmuar se mund të krijojë vështirësi ndaj çdo kundërshtari dhe kjo mbetet objektivi edhe përballë Francës.
Maroku dhe Franca u përballën edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në Katar katër vjet më parë, ku fituan francezët. Megjithatë, Ouahbi theksoi se kjo ndeshje do të jetë krejtësisht ndryshe.
“Nuk do të bëjmë bilancin tani. Nuk do të dëgjojmë ata që thonë se kemi bërë mjaftueshëm deri këtu. Franca mund të jetë favorite, por ne do të bëjmë gjithçka për të fituar. Arritja në këtë fazë nuk është bonus. Bonusi është ta fitojmë Kupën e Botës”, përfundoi Ouahbi.
KosovaPress