Përfaqësuesja e Spanjës po përgatitet për një nga sfidat më të vështira në Kupën e Botës 2026, ku në çerekfinale do të përballet me Belgjikën, ndërsa sulmuesi i Barcelonës, Lamine Yamal, ka veçuar portierin Thibaut Courtois si lojtarin që mund të bëjë diferencën për kundërshtarin.
Në një prononcim për Mundo Deportivo, talenti spanjoll e vlerësoi lart portierin e Real Madridit, duke e cilësuar si një nga më të mirët në botë, megjithëse theksoi se fokusi i tij mbetet vetëm te kualifikimi i Spanjës në gjysmëfinale.
Courtois hyn në këtë ndeshje në formë të shkëlqyer, pasi ka qenë vendimtar me pritjet e tij gjatë rrugëtimit të Belgjikës drejt çerekfinales. Portieri i Real Madridit po merr pjesë në Kupën e tij të katërt të Botës dhe vazhdon të jetë zgjedhja e padiskutueshme në portën e kombëtares belge.
Spanja është e vetëdijshme se do ta ketë të vështirë të depërtojë mbrojtjen belge për sa kohë Courtois është në portë, duke pasur parasysh përvojën e tij në ndeshjet me presion të lartë dhe aftësinë për të realizuar pritje vendimtare si për klubin, ashtu edhe për kombëtaren.Ndeshja çerekfinale do të zhvillohet të premten dhe fituesi do të sigurojë një vend në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror 2026.
KosovaPress