Botërori 2026
Botërori vazhdon fuqishëm, Mbappe, Haaland dhe Messi në skenë
Botërori 2026 vazhdon sot me tri përballje interesante të fazës së grupeve, ku vëmendja kryesore do të jetë te debutimi i Francës, Argjentinës dhe Norvegjisë në turneun që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë. Në Grupin I, Franca do të përballet me Senegalin në një duel që rikthen kujtimet e përballjeve të mëparshme mes dy kombëtareve. Kampionët e botës të vitit 2018 synojnë ta nisin me fitore rrugëtimin e tyre në turne, teksa Senegali kërkon të konfirmojë statusin e një prej përfaqësueseve më konkurruese afrikane. Po në këtë grup, Norvegjia do të luajë ndaj Irakut, me interes të veçantë për paraqitjen e sulmuesit Erling Haaland, i cili pritet të jetë figura kryesore e norvegjezëve në paraqitjen e tyre të parë në këtë Botëror. Ndërkohë, në Grupin J, kampionia në fuqi Argjentina do të nisë mbrojtjen e titullit përballë Algjerisë. Të gjitha sytë do të jenë te Lionel Messi, i cili në moshën 38-vjeçare mund të jetë duke zhvilluar turneun e fundit të madh me kombëtaren argjentinase. Në ndeshjen tjetër të grupit, Austria do të përballet me Jordaninë, e cila po debuton për herë të parë në historinë e saj në Kupën e Botës. Sipas programit, Francë–Senegal zhvillohet në orën 21:00, Irak–Norvegji në orën 00:00 ndërsa Argjentinë–Algjeri, ora 03:00 dhe Austri–Jordani në orën 06:00. KosovaPress
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026