Telekomi sqaron për të drejtat e transmetimit të Botërorit 2026
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Telekomi sqaron për të drejtat e transmetimit të Botërorit 2026
New Project - 2026-06-15T152325.619
15/06/2026 - 17:23
Linku u kopjua

Pas diskutimeve të shumta në opinionin publik lidhur me të drejtat televizive të Kupës së Botës FIFA 2026, Telekomi i Kosovës ka dalë sot me një komunikatë zyrtare për media për të sqaruar të gjitha faktet.

Përmes këtij reagimi, kompania publike ka hedhur poshtë pretendimet se qytetarëve po u pamundësohet ndjekja e këtij eventi, duke zbuluar platformat dhe marrëveshjet që garantojnë transmetimin e ndeshjeve në territorin e Kosovës.

Mbi 60% e ndeshjeve falas në RTK për të gjithë publikun

Telekomi i Kosovës ka bërë të ditur se ka investuar në sigurimin e të drejtave ekskluzive të transmetimit të Kupës së Botës FIFA 2026 për territorin e Republikës së Kosovës, duke sqaruar se pjesa më e madhe e ndeshjeve do të jetë plotësisht e qasshme pa pagesë.

"Në bazë të marrëveshjeve që rregullojnë këto të drejta transmetimi, 64 nga gjithsej 104 ndeshje të Kupës së Botës transmetohen pa pagesë shtesë për të gjithë qytetarët e Kosovës përmes Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e ndeshjeve të kësaj ngjarjeje sportive është e qasshme për publikun e gjerë pa asnjë kufizim dhe pa ndonjë obligim financiar."

Mbi 20,000 klientë fiks të Telekomit me qasje të plotë – Hapen opsione edhe për përdoruesit e operatorëve të tjerë

Përveç transmetimit publik në RTK, Telekomi ka njoftuar se klientët e saj ekzistues do të kenë benefite direkte, ndërsa ka prezantuar edhe një model të hapur për të gjithë qytetarët e tjerë, pavarësisht se cilin operator interneti përdorin:

"Mbi 20,000 klientë të shërbimeve fikse të Telekomit të Kosovës kanë qasje në të gjitha 104 ndeshjet e Kupës së Botës pa pagesë shtesë, si pjesë e shërbimeve që tashmë përdorin. Për 40 ndeshjet që transmetohen ekskluzivisht, me qëllimin e vetëm që asnjë qytetari të mos i pamundësohet shikimi i botërorit, Telekomi i Kosovës ka krijuar një model të hapur qasjeje, i cili u mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës t’i ndjekin këto ndeshje përmes platformës TV Vala kundrejt një pagese të vetme prej 20 eurosh për komplet botërorin."

"Pretendimet se qytetarëve u është pamundësuar përcjellja e Kupës së Botës nuk qëndrojnë"

Në reagimin e tyre, zyrtarët e Telekomit theksojnë se janë plotësisht të hapur për bashkëpunim komercial me kompanitë e tjera kabllore në treg, duke u ofruar atyre mundësinë që ta përfshijnë përmbajtjen e plotë të Botërorit në platformat e tyre.

"Pretendimet se qytetarëve të Kosovës u është pamundësuar përcjellja e Kupës së Botës nuk qëndrojnë. Përkundrazi, përmes kombinimit të transmetimeve publike në RTK, qasjes së plotë për klientët e Telekomit dhe mundësisë së hapur për të gjithë përdoruesit e internetit, Telekomi i Kosovës ka krijuar mekanizma që kjo ngjarje të jetë sa më e qasshme për publikun. Oferta jonë mbetet e hapur për individët dhe operatorët e interesuar që dëshirojnë të kenë qasje në përmbajtjen e plotë të Kupës së Botës FIFA 2026."

Me këtë sqarim zyrtar, Telekomi i Kosovës ka bërë të qartë se prioriteti kryesor mbetet gjithëpërfshirja dhe qasja e lehtë e publikut te ngjarja më e madhe futbollistike e vitit.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026