Kamberi: Kërcënimet e Vuçiqit sjellje prej një autokrati që po i perëndon fuqia
Lajme
Lexohet për: 12 min.
Shaip Kamberi
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi duke komentuar protestat e studentëve në Serbi, në të cilat po marrinë pjesë me mijëra protestues, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke demonizuar jo vetëm fqinjët, por edhe studentët që nuk i përkulen, ka filluar një retorikë kërcënuese.

Kamberi ka shkruar në Facebook se ai kërcënon me përdorimin e “Kobrave”-njësitit special të ushtrisë së Serbisë, në përgjegjësinë e të cilëve është edhe mbrojtja e presidentit, se do t’i përdorë për të “shkatërruar protestat”.

“Për Vuçiqin, dy studentë serbë të lindur në vitin 2002 në Beograd, me prejardhje nga Kroacia, janë të dërguarit e Zagrebit për të destabilizuar Beogradin. Davudi nga Novi Pazari po ndërlidhet me Bosnjën, studentët e Podgoricës me Gjukanoviqin, e Prishtina fajësohet që po përkrahë protestat. “I keni duart e lyera me gjak”, në fakt nuk është vetëm një parullë që ndërlidhet me tragjedinë e Novi Sadit. Ajo paraqet një simbolikë edhe më të gjerë”, ka shkruar ai.

Komenti i plotë i Kamberit:

Për më tepër se një muaj, shkëndijat e protestave anti-Vuçiq, po kërcënojnë të përfshijnë gjithë Serbinë.

Pakënaqësia gjithpopulore me presidentin serb dhe partinë e tij SNS, kishte filluar dy vite më parë me protestat e ambientalistave kundër shitjes së minierës “Jadar” të litiumit, por, të cilat, përkundër vrullit që patën, u shuan në një kohë relativisht të shkurtër.

Megjithatë, shuarja e protestive të ambientalistëve nuk nënkuptoi edhe tejkalimin e pakënaqësive ndaj pushtetit të Vuçiqit dhe arrogancës së tij e bashkëpartiakëve të tij, të cilët kishin kapur gjithë shtetin, kishin degraduar lirinë e fjalës, kishin rrënuar çdo institucion, kishin përbuzur gjitha shtresat e shoqërisë, ishin lidhur me krimin e organizuar, kishin refuzuar ndëshkimin me sanksione të agresionit rus në Ukrainë, po merrnin pjesë në shumë tentative destabilizuese në Mal të Zi, Bosnje dhe sidomos në Kosovë me sulmin terrorist në Banjska.

Kulminacioni i pakënaqësive u arrit me tragjedinë e Novi Sadit, me rastin e shembjes së stacionit hekurudhorë në këtë qytet të Vojvodinës, objekt ky i cili vetëm një vit më parë ishte renovuar.

Më 1 nëntor 2024, u shemb streha prej betoni e objektit të stacionit hekurudhorë, me çrast u në vend gjetën vdekjen 14 vetë, (ndërsa nga plagët e marra më vonë vdiq edhe një person).

As në rastin e një tragjedie të këtillë arroganca e pushetarëve nuk u zbeh, ajo kulmoi kur me radhë, zyrtarët më të lartë të SNS, duke filluar nga kryeministri aktual Vuçeviq, mohuan të ketë patur rinovim të objektetit vetëm një vit më pare, mohuan përgjegjësinë e tyre për tragjedinë, dhe fajsuan ata që para 60 viteve kanë ndërtuar këtë objekt.

“Të gjithë ne në 60 vitet e fundit kemi faj” kishte deklaruar Vuçiq në reagimin e parë pas ragjedisë. Dukë treguar kështu se nuk ka ndërmend të kërkojë përgjegjësi nga bashkëpartiakët e tij që direkt apo indirect ndikuan këtë tragjedi.

Materialet e publikuara ndërkohë demantuan keqazi edhe Vuçeviqin edhe ministrin e infrastrukturës Vesiq, dhe gjithë pushtetin e Vuçiqit, por, edhe në këtë rast mungoi reagimi i duhur i shtetit për të ftuar në përgjegjësi të përgjegjësit e këtij aksidenti me pasoja tragjike.

Kjo arrogance dhe papërgjegjësi kulmoi me protestat studentore, fillimisht në Novi Sad, e mandej edhe nëpër qytetet tjera të Serbisë, duke kërcënuar për protestë gjithpopullore kundër regjimit të Vuçiqit. Studentëve iu bashkuan edhe maturantët, artister, ndërsa kërccënime për grevë të përgjithshme kanë edhe avokatët.

Parulla kryesore që po përdoret nëpër protesta “I keni duart e lyera me gjak”, aludon në tragjedinë e Novi Sadit dhe përfshirjen e zyrtarëve të SNS në renovimin e obektit të stacionit hekurudhorë. Lëshimin në punë pa u kryer pranimet e nevojshme teknike me çrast rrezikuan jetët e qytetarëve.

Si zakonisht, Vuçiq, protestat e studentëve për drejtësi, në qendër të të cilave kërkesa ndodhet “zbardhja e të vërtetës së plotë rreth tragjedisë së Novi Sadit dhe sjellja e personave përgjegjës para drejtësisë”, fajson shërbimet e huaja, duke akuzuar pjesmarrësit e protestave se janë “agjentë të fuqive të jashtme”, se ka “një komplot ndërkombëtarë kundër tij e kundër Serbisë”.

Floskulë kjo e vjetër për më tepër se një shekull.

 Për të nxitur një homogjenizim më të madh serb rreth tij, akuzat e Vuçiqit u lansuan në drejtim të Prishtinës e  Zagrebit, “armiqve tradicional serb”. Por nuk u kursen as Sarajeva e as Podgorica.

Në vend se të sillet si president i përgjegjshëm, të shfrytëzojë autoritetin e tij për të zbardhur të vërtetën dhe për të inkurajuar organet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre me profesionalizëm, ai në fakt, edhe në një tragjedi si kjo, shfrytëzon për të sulmuar kundërshtarët e vet politik dhe të gjithë liderët e vendeve fqinje “për gjoja përfshirjen e tyre në destabilzimin e Serbisë”.

Ai merr rolin e policit, prokurorit e gjykatës. Ai stimulon sistemin inkuizitor, ku i njëjti person të akuzon dhe të gjykon. Ndërkohë qytetarët kërkojnë mbrojtje të tribunalit të pavarur kundër vendimeve arbitrare të qeverisë, kundër ikkuizicionit të Vuçiqit. Student kërkojnë autoritetin e ligjit dhe jo pushtetin personal të Vuçiqit dhe kastës së tij politike.

Kurti e Prishtina, Plenkovići e Zagrebi, Sarajeva e Podgorica, janë shndrruar në frazën e tij të përditshme në tentativën e tij për të fshehur autorët e vërtetë të tragjedisë së Novi Sadit.

Refuzimi kryeneç për të marrë mbi vete dhe regjimin e tij përgjegjësinë për tragjedinë e ndodhur po e përballin Vuçiqin me kundërshtarë gjithnjë e më të shumtë të shtresave të ndryshme.

Duke demonizuar jo vetëm fqinjët, por edhe studentët që nuk i përkulen,  Vuçiq ka filluar një retorikë kërcënuese.

Ai kërcënon me përdorimin e “Kobrave”-njësitit special të ushtrisë së Serbisë, në përgjegjësinë e të cilëve është edhe mbrojtja e presidentit, se do t,i përdorë për të “shkatërruar protestat”.

Për Vuçiqin, dy studentë serbë të lindur në vitin 2002 në Beograd, me prejardhje nga Kroacia, janë të dërguarit e Zagrebit për të destabilizuar Beogradin. Davudi nga Novi Pazari po ndërlidhet me Bosnjën, studentët e Podgoricës me Gjukanoviqin, e Prishtina fajësohet që po përkrahë protestat.

“I keni duart e lyera me gjak”, në fakt nuk është vetëm një parullë që ndërlidhet me tragjedinë e Novi Sadit. Ajo paraqet një simbolikë edhe më të gjerë.

Aleksandar Vuçiq dhe neoradikalët e tij i kanë duart e lyera me gjak që nga vitet e 90’ta:

- duke përkrahur rrethimin e Sarajevës dhe vrasjen e civilëve dhe fëmijëve nga snajperistët serb, në këtë qytet, në rrethimin  prej 1425 ditëve ditë;

- duke përkrahur shkatërrimin e Vukovarit;

- duke përkrahur bombardimin e Dubrovnikut;

- duke përkrahur - sa ishte ministër i informacionit i regjimit të Millosheviqit- krimet e luftës në Kosovë;

- duke kërcënuar me vrasjen e 100 muslimanëve për një serb;

- duke refuzuar nënshkrimin e marëveshjeve të dakorduara me Kosovën (sepse i dhemb dora e djathtë) Serbia e Vuçiqit pengon ndërtimin e paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimorë;

- duke instrumentalizuar serbët që jetojnë në shtetet fqinje, Serbia e Vuçiqit, në kuadër të “Botës Serbe”, shpreh aspiratat territorial ndaj fqinjëve;

- mbi të gjitha duke mohuar gjenocidin e Srebrenicës, Aleksandar Vuçiq dhe regjimi i tij, vërtetë i kanë duart e lyera me gjak.

“Mohimi i gjenocidit” paraqet fazën e tij të fundit thonë autorë të drejtës ndërkombëtare.

Duke mohuar gjenocidin e Srebrenicës, tashmë edhe kur ka vendim të Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë dhe Rezolutë të OKB-së për këtë çështje, A.  Vuçiq, bashkë me regjimin e tij po kryen fazën e fundit të veprës së gjenocidit në Srebrenicë.

Për disa vite me radhë, organizatat me renome ndërkombëtare (psh. Fredom House) e cilësojnë Serbinë “demokraci hibride”, ndërkaq vjedhjet në zgjedhjet e fundit parlamentare në dhjetor 2023 ishin temë e gjitha instancave të BE-së.

Ai ka nisur projektin e ri të “Botës serbe” një eufemizëm për Serbinë e madhe apo parullën e Millosheviqit “Gjithë serbët në një shtet”.

Ai dhe politika e tij me “Botën serbe” kanë dëshmuar se me rënien e Millosheviqit Serbisë nuk i është bërë ekzorcizëm e as nuk i është sjellur pafajsia për luftërat e viteve -90.

Vuçiq dhe regjimi i tij me këmbëngulësi kanë refuzuar të flasin për “çështjen e të gjitha çështjeve të shoqërisë serbe”, siç e ka cilësuar avokati Srgja Popoviq-çështjen e krimeve të luftës.

Vuçiq dhe pushteti deri tash i pakontrolluar i tij, po përballen me krizën më serioze. Ai po sheh se studentët e rebeluar, nuk e dëgjojnë, se shumë shtresa të shoqërisë po e kërcënojnë me padëgjueshmëri.

I gjendur në rrethana të cilat nuk ka ka hasur deri më tani ai po shfaq pasiguri deri në atë masë që kërcënon mësimëdhënësit se në “gjysëmvjetorin e dytë do t,i përjashtojë nga puna”, kërcënon protestuesit me përdorimin e njësitit special “Kobra”.

Por, gafa e tij më e madhe ishte kërcënimi me të ashtuuajturit “lojalistët e SNS” siç i quan ai, për të cilët thot se “janë mbi 17 mijë”,  se  “tubohen në Kishë”, se “janë prorus” që dmth putinistë.

Lojalistët, ashtu siç i ka prezentuar vetë Vuçiq, janë garda e tij pretoriane, të “gatshëm për të derdhur gjak që të mos lejojnë ndryshimin e pushtetit”.

Kërcënimet janë sjellje tipike të një autokrati fuqia e të cilit po perëndon, por, akoma duke shpresuar në kërcënimet absurde, mendon se do ta ruajë pushtetin e tij.

Në tërë këto rrethana kur vetë serbët, ditë e për ditë, po tregohen jo vetëm të lodhur por edhe të frustruar me presidentin e tyre dhe regjimin e antivlerave që ai ka instaluar,  kur edhe po e akuzojnë se “ka duart e lyera me gjak”, Bujanoci me pushtetin multietnik, po tenton të përfaqësohet si një oazë idilike e mirëqenies ndëretike, edhe pse etnia e përfaqësuar me 62 % në popullsinë e kësaj komune (shqiptarët) janë përjashtuar nga institucionet  më vitale të sistemit (gjyqësori, policia, dogana, shërbimi i të ardhurave, kadastri, shëndetësia e shumë e shumë institucione tjera shtetërore e publike).

Mosnjohja e diplomave, pasivizimi, militarizimi e mosintegrimi, që janë vetëm disa nga format e diskriminimit të shqiptarëve, po përdoren edhe si mekanizma administrativ për shpopullimin e Luginës së Preshevës nga shqiptarët.

Duke tentuar që përmes jorealizmit Bujanocin ta paraqesin sy vend ideal për bashkëjetësë multietnike, zyrtarët komunal dhe ca përkrahës të tyre, po tentojnë të degradojnë çfarëdo kritike konstruktive që jep opozita, me metodat dhe stilin e njëjtë me të cilin Vuçiq po lufton studentët dhe kritikët e sistemit të antivlerave që Vuçiq dhe regjimi i tij kanë instaluar që nga 2012.

Edhe shpresat e më optimistëve se pushteti multietnik do të sjellë më shumë fonde për Bujanocin u shuan në fundvitin 2024.

Rebalansi i Buxhetit të vitit 2024, shpërndarja e mjeteve të Rezervës buxhetore për 2024 dhe Buxheti i vitit 2025 për Trupin koordinues nuk shënuan as edhe një ngritje minimale të fondeve për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Mjetet e transferit të rregullt kanë mbetur në nivelin e vitit 2013-2014.

Në përballje me protestat gjithnjë në rritje nëpër Serbi, Vuçiq ka ardhur në situatë të luftojë për të shtyrë edhe për një kohë mbijetesën e vet dhe të partisë së tij në drejtimin e Serbisë.

Ai gjithashtu duhet të përkujdeset edhe për fatin e vet personal në ardhmen. 

Parullat që shihen nëpër protesta “do të keni gjykim të drejtë” i adresohen pikërisht atij dhe njerëzve më të afërt të tij të.

Ai as se ka momentin, as mundësinë e as dëshirën që të bajë dertin që pushteti  multietnik në Bujanoc të dalë i suksesshëm.

Prandaj me të drejtë shtrohet pyetja deri kur Bujanoci do ti qëndrojë besnik A. Vuçiqit dhe SNS-së së tij?

Apo a do të jenë edhe bujanocasit “lojalistët” dhe garda pretoriane e A. Vuçiqit?

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025