Nesër mbledhja e CEFTA-s, Kosova me fusnotë përfaqësohet nga MINT e këto janë synimet
Lajme
Lexohet për: 3 min.
CEFTA-081024
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Kosova do të përfaqësohet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në mbledhjen e nesërme të gjashtë vendeve të rajonit në CEFTA. Megjithëse përmes fusnotës, në Lëvizjen Vetëvendosje e konsiderojnë sukses përfaqësimin e Kosovës në CEFTA pa UNMIK-un. Sipas partisë në pushtet në mbledhjen e nesërme pritet të miratohen një grup marrëveshje teknike që janë diskutuar me muaj të tërë të cilat lehtësojnë tregtinë e lirë për vendet e rajonit. Në anën tjetër, në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se largimi i masave të sigurisë për mallrat serbe si kundërvlerë e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA është e pamjaftueshme. Ndërkaq, njohës të proceseve rajonale e mirëpresin vendimin e qeverisë për heqjen e bllokadës për mallrat serbe për lehtësimin e tregtisë së lirë dhe arritjen e suksesit të plotë të CEFTA-s dhe Procesi të Berlinit.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se pas vendimit të djeshëm për heqjen e masës së sigurisë për mallrat serbe vetëm përmes pikës kufitare në Merdarë është plotësuar kërkesa gjermane që CEFTA dhe Procesi i Berlinit të kenë sukses të plotë.

Kusari-Lila shton se Kosova do të përfaqësohet nga MINT, mirëpo nuk dihet a do të jetë në nivel teknik apo politik të përfaqësimit të tyre.

Mirëpo, nënkryetarja e PDK-së, Mimoza Ahmetaj, thotë në një përgjigje për KosovaPress se qeveria kishte synuar që ta kushtëzojë BE-në me idenë që përmes bllokimit të mallrave serbe të hiqen sanksionet ekonomike dhe politike, por pranoi që vetëm përmes përfaqësimit në CEFTA me asterisk (fusnotë) të largoi masat ndaj mallrave serbe.

Ndërkaq, analisti politik, Visar Ymeri thotë për KosovaPress se qeveria ka vepruar mirë që ka larguar masën e sigurisë ndaj mallrave serbe, pasi konsideron se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm për vendin.

Sipas tij, ekzekutivi ka bërë mirë që ka adresuar çështjen e skanerëve pasi brengat për çështje të sigurisë janë marrë parasysh. Ai  thekson se Kosova të vetmit mekanizma për bashkëpunim rajonal i ka përmes CEFTA-s dhe Procesit të Berlinit. 

Ministria e Punëve të Brendshme dje ka autorizuar Doganën e Kosovës që të hiqen masat e sigurisë për mallrat serbe që arrijnë përmes pikës kufitare në  Merdarë.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se pas një veprimi të tillë janë përmbushur kërkesat e aleatëve që CEFTA dhe Procesi i Berlinit të kenë sukses të plotë.

Vendimin e qeverisë e mirëpritën ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde./E.Zeqiri/ 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024