Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaron se është optimist se Serbia do të dorëzojë kryeterroristin Milan Radojiçiq në rast se Perëndimi e sanksionon destruktivitetin e Serbisë. Sipas tij, kjo është mënyra për të vepruar me Beogradin, porse thekson se Kosova nuk ka levë për ta përdorur kundër Serbisë.
Në një intervistë për KosovaPress, kreu i ekzekutivit shton se inteligjenca e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë janë vigjilente karshi dhe Serbisë për shkak të synimeve të saj destabilizuese, derisa shprehet i bindur se “ato sulme nuk mund të planifikohen më në Kosovë, nuk mund të iniciohen përbrenda Kosovës.”
“Ata vazhdimisht shpifin në përputhje me fantazinë e tyre, ata do dëshironin që të kishte një sulm ndaj serbëve civilë në mënyrë që këtë ta përdorin për pretekst, për agresionin e ushtrisë së tyre, mirëpo pikërisht për shkak se nuk eksiton një gjë e tillë, atëherë edhe më shumë bëjnë propagandë. Shpeshtimi dhe sforcimi i propagandës së tyre është dëshmi që e njëjta nuk po ka sukses, prandaj edhe po rritet intensiteti”, thotë Kurti.
Gjatë këtij mandati të Qeverisë Kurti, Kosova u përmball me dy sulme të mëdha në veri të vendit, agresioninnë Banjskë të Zveçanit dhe sulmin terrorist në Ibër-Lepenc."Kriminelët e llojit të tillë e kanë konfliktin si liri. Kur nuk ka konflikt, ata ndihen të cenuar, paqja nuk i leverdisë. Kriminelëve iu leverdisë konflikti, trazirat, destabilizimi, pasiguria, lufta, gjakderdhja. Në ato momente ata ndihen të lirë, prandaj edhe zhvillojnë aksione të tilla sporadike terroriste, të cilat janë edhe shprehje e pafuqisë së tyre, duke qenë se nuk e kanë nën kontroll veriun e Kosovës krejt çfarë mund të bëjnë është të planifikojnë ndonjë sulm që na cenon dhe na bën dëm neve”, thotë ai.
Së fundi, kryeministri Kurti pati deklaruar se Radojiçiq ka angazhuar dy serbë të njohur me nofkat “Mami” dhe “Gandi”, për sulme në veri.
"E mbaj në mend shumë mirë datën 20 janar 2023 kur presidenti i Serbisë e pati pranuar në një konferencë për media marrëveshjen bazike dhe ai tha që këtë po e bën për dy arsye kryesore. E para sepse nuk dëshiron që qytetarëve të Serbisë t’iu rikthehet regjimi i vizave dhe e dyta tha që nuk mund t’i humbë 100 mijë vende pune gjermane në Serbi... Pra, kërcënimin të cilin ai si të tillë e kishte përjetuar nga Perëndimi për sanksione qoftë me kthim të regjimit të vizave ose humbjeve të vendeve të punës të investimeve të huaja ja përcillte popullit serb publikisht. Unë besoj që kjo është mënyra për të vepruar me Beogradin nëse perëndimi demokratik seriozisht e sanksionon destruktivitetin e Serbisë atëherë unë jam optimist që edhe Milan Radioçiqin shpejt do të na e dorëzojnë, mirëpo ne nuk kemi levë kundër Serbisë, siç ka Perëndimi", thotë Kurti.
“Jemi shumë vigjilentë në këto ditë, për shkak se nuk ka muaj që nuk po ka ndonjë përpjekje. Përpjekjen e fundit e kishin me 29 nëntor kur e dëmtuan rënd por jo pakthyeshëm kanalin Ibër-Lepenc dhe tani organet tona të sigurisë, inteligjenca jonë përcjell me shumë vëmendje çfarëdo informacioni i cili mund të na tregojë çka do qoftë lidhur me sulmet e tyre të radhës, por unë e di një gjë që ato sulme nuk mund të planifikohen më në Kosovë, nuk mund të iniciohen përbrenda Kosovës. Ato janë sulme të cilat vijnë gjithmonë nga Serbia dhe organizohen atje. Në njërën anë kjo tregon që ne kemi qenë të suksesshëm, por në anën tjetër e bën më të vështirë gjurmimin e tyre sepse ne nuk mund të interceptojmë informacione ne Serbi sikurse që mund ta bëjmë në Kosovë... Janë institucionet përkatëse të sigurisë që e bëjnë vlerësimin e duhur por ne kurrsesi nuk mund të jemi të relaksuar përderisa krimineli Raidoqiq dhe paramilitarët e tjerë të grupit të tij terrorist ndodhen në liri në Serbi”, vijon Kurti.