Mimoza Kusari feston datëlindjen, deputeti Abrashi “ngacmon” opozitën
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila së bashku me anëtarë të tjerë të kësaj partie ka festuar sot datëlindjen e saj të 49-të.
Në një postim në Facebook, deputeti i LVV-së Artan Abrashi ka “ngacmuar” opozitën duke e quajtur kremtimin e datëlindjes si “ceremoni për shkarkim”.
“Ceremonia e shkarkimit të shefes së grupit. Shumë urime Mimoza”, ka shkruar Abrashi.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje bojkotoi seancën e jashtëzakonshme në Kuvend më 11 tetor, të thirrur nga opozita, lidhur me audio-përgjimin që shfaq bisedat telefonike mes Mimoza Kusari-Lilës dhe Milan Radoiçiq, ky i fundit në kërkim për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë.
Pavarësisht se Vetëvendosje nuk ishte e pranishme në seancë, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit për të hetuar bashkëpunimin mes shefes së deputetëve të Vetëvendosjes dhe Radoiçiq.
Ndërsa kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se komunikimet mes Kusari-Lila dhe Radoiçiq janë bërë me porosi të Kurtit.
Audio-përgjimi i publikuar në mediat online, përmes të cilit pretendohet komunikimi telefonik mes Kusari-Lila dhe Radoiçiq është cilësuar si tradhti kombëtare nga opozita. Kusari-Lila ka thënë se audio-incizimi i publikuar është i fabrikuar.