Sport
Test i rëndësishëm për “Dardanët”, Vojvoda: Të rinjtë kanë shansin të tregohen
Kombëtarja e Kosovës vijon përgatitjet për sfidat e ardhshme ndërkombëtare, teksa më 7 qershor do të përballet me Andorrën në një ndeshje miqësore që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, me fillim nga ora 20:00. Kjo përballje shihet si një test i rëndësishëm për “Dardanët”, në prag të garave zyrtare, ndërsa do t’i shërbejë përzgjedhësit Franco Foda për të provuar skema të reja dhe për t’u dhënë hapësirë lojtarëve të rinj. Para kësaj sfide, në konferencën për media, Foda theksoi rëndësinë e ndeshjeve miqësore për ndërtimin e ekipit dhe përgatitjen për të ardhmen, duke kërkuar reagim pozitiv nga futbollistët pas rezultateve të fundit. Ndërkohë, mbrojtësi i Kombëtares, Mërgim Vojvoda, u shpreh optimist për atmosferën brenda grupit dhe rëndësinë e çdo ndeshjeje me fanellën e Kosovës. “Të gjitha lojërat me kombëtaren janë të rëndësishme, për mua çdo lojë e ka rëndësinë e vet. Për mua nuk ka pasur asnjë vështirësi për këto dy ndeshje”, deklaroi Vojvoda. Ai shtoi se grupi po kalon një moment pozitiv, duke vlerësuar përshtatjen e shpejtë të lojtarëve dhe energjinë e re në skuadër. “Atmosfera është shumë e mirë, lojtarët janë adaptuar shumë shpejt. Ka një energji të re dhe dëshirë për të arritur kualitetin e kombëtares në grup”, tha ai. Sipas Vojvodës, mungesa e disa lojtarëve krijon hapësira për futbollistët e rinj që të dëshmojnë veten. Vojvoda: Për lojtarët e rinjë është një mundësi shumë e mirë për të treguar veten “Kur mungojnë disa lojtarë, për të rinjtë është një mundësi shumë e mirë për të treguar veten”, përfundoi ai. Kosova do ta shfrytëzojë këtë ndeshje si përgatitje serioze, me synimin për të ndërtuar një skuadër konkurruese për sfidat që e presin në arenën ndërkombëtare. KosovaPress
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026