Kombëtarja e Kosovës e vajzave në futboll në prag të ndeshjes me Kombëtaren e Kroacisë, e vlefshme për kualifikimin në Kupën e Botës 2027, ka mbajtur sot seancën stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Kosova bën pjesë në Grupin C2, ku aktualisht kryeson renditjen, e ndjekur nga Kroacia, Bullgaria dhe Gjibraltari.
“Na nevojitet një rezultat pozitiv me Kroacinë, një rezultat baraz ne kualifikohemi tutje, mirëpo jo vetëm një fitore, por ne kemi bërë katër fitore, por kjo me Kroacinë është më e rëndësishme edhe për atë arsye që nga fillimi kemi paraparë që konkurrenti ynë do të jetë Kroacia. Ne kemi bërë një rezultat pozitiv në Kroaci, mirëpo jam shumë i vetëdijshëm unë, stafi, vajzat, që nesër është një lojë e re, një sfidë e re dhe kemi marrë të gjitha masat e duhura që të vazhdojmë me këto rezultate që kemi pas deri tani dhe të realizojmë objektivat që kemi përpara, që është kualifikimi në Ligën B dhe pastaj të shohim edhe mundësinë për play-off në Kampionatin Botëror që mbahet në Brazil” – tha trajneri Sermaxhaj.
Lojtarja, Lumbardha Misini deklaroi se, pavarësisht se Kroacia është konsideruar favorite, skuadra ka besim të plotë në vetvete dhe është e gatshme për të marrë një rezultat pozitiv.Ndërkohë, lojtarja Donjeta Halili, bëri të ditur se kjo është ndeshja kryesore e grupit dhe se me angazhim maksimal beson që ekipi mund ta kalojë me sukses këtë sfidë dhe të sigurojë kualifikimin.
“Kjo është ndeshja po thuajse kryesore e grupit, pasi që ta kalojmë këtë lojë besojmë që të kualifikohemi. Kroacia ka një ekip pothuajse të barabartë, por me punë, angazhim, besoj që çdo lojë kalohet”, shtoi Halili.
KosovaPress