Kombëtarja e Kroacisë e vajzave në futboll në prag të ndeshjes me Kombëtaren e Kosovës, e vlefshme për kualifikimin në Kupën e Botës 2027, ka mbajtur sot seancën stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Dardanet do të përballen me Kroacinë si vendase në Prishtinë dhe me Gjibraltarin si mysafire, në kuadër të Grupit 2 të Ligës C ku ndeshjen ndaj Kroacisë do ta zhvillojnë me 5 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 19:00.




“Ne jemi përgatitur për këtë ndeshje, mund të them njësoj si për çdo ndeshje tjetër në këtë raund kualifikues. Por gjithashtu e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. E dimë që është ndoshta ndeshja më e rëndësishme që kemi pasur në gjithë këtë raund. Por ne kemi besim në vetvete dhe do të shohim nesër kush do të luajë dhe jam i sigurt që të gjithë do të japin 100%” – deklaroi kapitenia Bacic.
Duke folur për kundërshtarin, Doris Bacic e cila është portiere e Kroacisë, u shpreh se Kroacia e njeh shumë mirë Kosovën, pasi është hera e dytë që përballen në kualifikuese. Ajo vlerësoi lart ekipin kosovar, duke e cilësuar si agresiv dhe shumë luftarak në fushë, ndërsa theksoi se skuadra e saj e ka analizuar mirë kundërshtarin dhe është e përgatitur për sfidën.Sa i përket taktikës së lojës, kapitenia bëri të ditur se vendimi përfundimtar i takon trajnerit, por nënvizoi se skuadra synon fitoren. Ajo la të kuptohet se Kroacia ka gjasa të luajë në mënyrë sulmuese, megjithatë gjithçka do të varet nga strategjia që do të vendoset për ndeshjen.
“Mendoj se këtë do ta vendosë trajneri, por ne shpresojmë për fitore nesër dhe besoj se do të shkojmë për një lojë sulmuese. Por në fund, çfarëdo që të ndodhë, trajneri do të vendosë” – shtoi Bacic.
Kosova bën pjesë në Grupin C2, ku aktualisht kryeson renditjen, e ndjekur nga Kroacia, Bullgaria dhe Gjibraltari.