Kombëtarja e Kosovës vijon përgatitjet për sfidat e ardhshme ndërkombëtare, teksa më 7 qershor do të përballet me Andorrën në një ndeshje miqësore që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, me fillim nga ora 20:00.
Kjo përballje shihet si një test i rëndësishëm për “Dardanët”, në prag të garave zyrtare, ndërsa do t’i shërbejë përzgjedhësit Franco Foda për të provuar skema të reja dhe për t’u dhënë hapësirë lojtarëve të rinj.
Ndërkohë, mbrojtësi i Kombëtares, Mërgim Vojvoda, u shpreh optimist për atmosferën brenda grupit dhe rëndësinë e çdo ndeshjeje me fanellën e Kosovës.
“Të gjitha lojërat me kombëtaren janë të rëndësishme, për mua çdo lojë e ka rëndësinë e vet. Për mua nuk ka pasur asnjë vështirësi për këto dy ndeshje”, deklaroi Vojvoda.“Atmosfera është shumë e mirë, lojtarët janë adaptuar shumë shpejt. Ka një energji të re dhe dëshirë për të arritur kualitetin e kombëtares në grup”, tha ai.
Sipas Vojvodës, mungesa e disa lojtarëve krijon hapësira për futbollistët e rinj që të dëshmojnë veten.
Kosova do ta shfrytëzojë këtë ndeshje si përgatitje serioze, me synimin për të ndërtuar një skuadër konkurruese për sfidat që e presin në arenën ndërkombëtare.