I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë për integrimin energjetik, Joshua Volz, thotë se Uashingtoni po e rrit angazhimin e tij në Ballkanin Perëndimor për të forcuar sigurinë energjetike të aleatëve dhe për të ulur varësinë e tyre nga furnizimet ruse.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se Rusia e ka përdorur vazhdimisht energjinë si mjet gjeopolitik dhe se SHBA-ja synon t’i zëvendësojë “molekulat ruse” me burime të tjera energjetike përmes zgjerimit të infrastrukturës në Evropën Juglindore.
Për Kosovën, Volz thotë se është një aleate shumë e rëndësishme dhe një vend “në nevojë urgjente për modernizimin” e sistemit energjetik.
Joshua Volz: Së pari dhe mbi të gjitha, ne po përpiqemi të përdorim energjinë dhe burimet energjetike të SHBA-së për t’i mbështetur partnerët dhe aleatët tanë në mbarë botën, duke u dhënë atyre mundësi më të mira dhe qasje më të madhe në diversifikimin energjetik dhe sigurinë energjetike.
Prandaj, këto angazhime të ripërtërira, si në nivel marrëveshjesh ndërqeveritare, ashtu edhe në projekte infrastrukturore, mundësojnë që Shtetet e Bashkuara të ofrojnë burime energjetike të sigurta, të besueshme, të përballueshme dhe të qëndrueshme për partnerët dhe aleatët tanë, të cilët, më herët, kanë qenë tepër të varur nga burime dhe rrugë energjetike që kanë ndikuar negativisht në sigurinë energjetike të rajonit.
REL: Si lidhen këto projekte me përpjekjet globale për të zvogëluar varësinë nga energjia ruse, sidomos në rajone si Evropa Juglindore?
Rusia ka qenë vazhdimisht e gatshme për ta përdorur energjinë si armë dhe si mjet për presion politik. Ne nuk duam që partnerët dhe aleatët tanë të vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e opsioneve energjetike, që krijon varësia e madhe nga Moska.
Prandaj, ne po i ofrojmë burimet energjetike amerikane për të zëvendësuar molekulat ruse. Ky është një nga elementet më të rëndësishme të përputhjes strategjike mes presidentit [amerikan, Donald] Trump dhe presidentes [së Komisionet Evropian] Ursula von der Leyen. Të dy e duan eliminimin e energjisë ruse nga sistemi energjetik evropian deri në fund të vitit 2027. Ky është një objektiv shumë ambicioz dhe kërkon shumë punë.
Energjia si siguri kombëtare
REL: A kanë këto nisma të bëjnë kryesisht me sigurinë energjetike, apo pasqyrojnë edhe interesa më të gjera strategjike dhe gjeopolitike të SHBA-së në rajon?
Pra, energjia është themeli i gjithçkaje që bëjmë në marrëdhëniet tona me partnerët dhe aleatët në mbarë botën. Siguria energjetike është vërtet baza e gjithë sigurisë dhe e gjithçkaje që rrjedh prej saj.
REL: Çfarë përfitimesh konkrete mund të presin vendet e rajonit në pesë deri në dhjetë vjetët e ardhshëm?Asnjëherë - as gjatë uraganeve, fatkeqësive natyrore, luftërave, konflikteve apo mbylljes së Ngushticës së Hormuzit - prodhuesit amerikanë nuk kanë dështuar t’i dërgojnë ngarkesat që i kanë pasur të kontraktuara.
Kjo besueshmëri dërgon një sinjal shumë të fortë tregu për këdo që bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara në fushën e energjisë, se këto burime do të jenë të garantuara dhe se investimet do të mbështeten nga një zinxhir furnizimi energjetik që është i qëndrueshëm, i përballueshëm dhe i sigurt.
REL: Siç e përmendët edhe ju më herët, BE-ja do që rajoni ta zvogëlojë varësinë nga gazi rus, por, në të njëjtën kohë, po shtyn përpara edhe dekarbonizimin dhe ka ngritur shqetësime për transparencën dhe rregullat e tregut në disa projekte, përfshirë në Bosnje dhe Hercegovinë. Si i shihni ju këto shqetësime?
Aktualisht, Ballkani Perëndimor dhe Evropa Qendrore e Lindore përballen me një zgjedhje mes burimeve energjetike të pasigurta dhe të përdorura si mjet presioni politik, të cilat janë themeli i ekonomive të tyre, dhe burimeve energjetike të besueshme, që ofrojnë partneritet me Shtetet e Bashkuara, si dhe mundësi për rritje ekonomike dhe për të financuar shpenzimet e nevojshme për mbrojtje - sidomos në kontekstin e konflikteve si lufta në Ukrainë gjatë katër vjetëve të fundit.
Për ne, kjo është zgjedhja midis një sistemi energjetik të bollshëm ose një sistemi që vuan nga mungesa e burimeve. Dhe, nëse shikoni tkurrjen ekonomike dhe industriale që ka ndodhur si pasojë e disa politikave energjetike të ndjekura nga partnerët tanë evropianë, nuk besoj se kjo është diçka me të cilën janë të kënaqur partnerët tanë në këto ekonomi. Askush nuk dëshiron rënie ekonomike apo tkurrje industriale, dhe disa nga politikat e ndjekura deri më tani, duke tentuar të eliminojnë pjesë thelbësore të sistemit energjetik, kanë çuar në këto rezultate.
REL: A bien ndesh këto projekte energjetike në Ballkanin Perëndimor - të mbështetura nga SHBA-ja - me rregullat e BE-së dhe objektivat e tranzicionit të gjelbër?
Joshua Volz: Ne po punojmë shumë ngushtë me partnerët tanë në Bruksel, për të siguruar që dinamikat e tregut brenda kufijve të BE-së dhe jashtë tyre të jenë të harmonizuara, pasi disa nga këto vende në Ballkanin Perëndimor nuk janë ende pjesë e BE-së. Shumë prej tyre kanë aspirata për anëtarësim në BE, por disa nuk janë brenda Unionit.
Kemi parë përparim të rëndësishëm në [infrastrukturën e] Korridorit Vertikal drejt harmonizimit të rregullave dhe mbështetjes së produkteve të kombinuara - gjë që mundëson vendime afatgjata ekonomike dhe krijon bazën për këto mundësi.
Prandaj, po punojmë ngushtë me kolegët në Bruksel për të siguruar që struktura e tregut të jetë e duhur për t’i mbështetur këto objektiva.REL: Dua të kaloj tani te Kosova. Aktualisht, Kosova nuk ka infrastrukturë të gazit natyror dhe nuk është drejtpërdrejt pjesë e këtyre iniciativave. Ku gjendet Kosova në strategjinë rajonale të energjisë së SHBA-së?
Joshua Volz: Kosova është një partnere dhe aleate shumë e rëndësishme dhe Shtetet e Bashkuara ishin të parat që e njohën pavarësinë e Kosovës. Ne po vazhdojmë ta forcojmë edhe më tej marrëdhënien tonë me partnerët në Prishtinë, dhe mundësitë ekonomike atje janë të konsiderueshme.
Joshua Volz: Kjo është pjesë e diskutimeve më të gjera që po zhvillohen dhe po lehtësohen nga rritja e furnizimeve me burime energjetike amerikane përmes korridoreve të ndryshme në Evropë.
Kjo përbën një hap të madh përpara në krijimin e rrugëve dhe arterieve që do të mundësojnë që gazi natyror amerikan të arrijë në vende si Kosova.
Ky është një hap i domosdoshëm i parë, por sigurisht jo i fundit. Qëllimi ynë është që burimet energjetike amerikane të arrijnë te të gjithë partnerët dhe aleatët tanë që janë të interesuar për një bashkëpunim afatgjatë energjetik me industrinë amerikane dhe me Shtetet e Bashkuara.
Joshua Volz: Sa i përket energjisë, unë mendoj se Kosova është padyshim një treg i gatshëm për investime, i mbushur me mundësi dhe në nevojë për modernizim.
Për tërheqjen e investimeve më të mëdha, duhet të krijohen më shumë nxitje për investimet e sektorit privat amerikan dhe për financimet ndërkombëtare që të hyjnë në Kosovë. Këto janë çështje me të cilat po merren shumë seriozisht kolegët e mi në Departamentin e Tregtisë, Departamentin e Thesarit dhe Departamentin e Shtetit.
REL: A ka ndonjë lidhje formale ose joformale midis zyrtarëve amerikanë dhe kompanive private të përfshira në këto projekte?
Joshua Volz: Po, ka. Një numër kompanish amerikane tashmë janë duke operuar dhe duke bërë investime të rëndësishme në infrastrukturën energjetike dhe në importin e gazit të lëngshëm natyror amerikan në Ballkanin Perëndimor.Po ashtu, shumë kompani të tjera të mëdha amerikane kanë shprehur interes për të marrë pjesë në këto mundësi investimi, duke theksuar se Ballkani Perëndimor është një treg i gatshëm për investime. Sipas tyre, politikat dhe rregulloret që e lehtësojnë këtë proces, janë thelbësore për të tërhequr sa më shumë investime të huaja direkte dhe për t'i transformuar sistemet energjetike në më të forta, më të qëndrueshme, më të sigurta dhe më të përballueshme, duke nxitur rritjen ekonomike dhe prosperitetin në këto vende.