Në ambientet e shkollës që mban emrin e heroit Xheladin Gashi, është shënuar dita e shkollës së mesme të ulët në Drenas, me një program të pasur artistik dhe përkujtimor. Aktiviteti u karakterizua me valle, muzikë korale dhe fjalime kushtuar jetës dhe veprës së Komandant Plakut, ndërsa u ndanë edhe mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar.
Drejtori i shkollës, Imer Behrami, tha se kjo ditë është simbol krenarie dhe respekti për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë dhe arsimin.

Gjatë manifestimit u theksua edhe rëndësia e ruajtjes së kujtimit për figurat që dhanë kontribut për vendin dhe lirinë.
Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti vajza e Komandant Plakut, Lumije Gashi.
Ndryshe, Xheladin Gashi, komandant “Plaku” u lind në Bushat (ish-Komoran) më 25 maj 1946. Ai ishte njëri nga themeluesit e celulave të para të UÇK-së, si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm që nga themelimi i UÇK-së.

Komandant Plaku vdiq në vitin 2005, kurse në atë kohë ai ishte në krye të Shoqatës “Miqtë e TMK-së”.