Çfarë ndodhi me dosjet e Drejtorisë të Sigurimit Shtetëror (UDB) pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe pse përmbajtja e tyre vazhdon të jetë, edhe më shumë se tre dekada më vonë, objekt debatesh?
Dokumentet e policisë sekrete janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes pasi komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e përballur me akuza të vazhdueshme dhe të paprovuara se ka qenë bashkëpunëtore e shërbimit sekret jugosllav, dëshmoi para Parlamentit Evropian.
Në atë periudhë, në territorin e shtetit që përbëhej nga gjashtë republika dhe dy krahina autonome, vepronte një shërbim i vetëm, Drejtoria e Sigurimit Shtetëror, e njohur me akronimin UDB.
Hapja e arkivave në vende si Gjermania Lindore, Republika Çeke dhe Polonia u realizua në valën e demokratizimit të vendeve të ish-bllokut lindor në fund të viteve '80 dhe në fillim të viteve '90, shkruan REL, transmeton KosovaPress.
Në të kundërt, në shtetet e ish-Jugosllavisë, të cilat u formuan në kushte konfliktesh, luftërash dhe shkatërrimesh, procesi i demokratizimit dhe transformimit të shërbimeve të sigurisë ka qenë më i ngadalshëm dhe i shoqëruar me shumë polemika.
Sllovenia ishte shteti i parë i krijuar pas shpërbërjes së Jugosllavisë që i hapi arkivat dhe dosjet, thotë për Radion Evropa e Lirë, historiani kroat Mario Previshiq.
Sot, këto dokumente janë të qasshme në Arkivin e Republikës së Sllovenisë.
Siç theksoi në një përgjigje me shkrim për REL-in historiani slloven Bozho Repe, “arkivat nuk janë ruajtur në tërësi dhe nuk dihet as sa prej tyre kanë ekzistuar në përgjithësi, pasi pastrimi i materialeve është bërë të paktën dy herë – pas shkarkimit të Aleksandar Rankoviqit në fund të viteve '60 dhe në fund të viteve '80, kur supozohet se janë shkatërruar rreth 17.000 dosje”.
Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1991, në Slloveni si shërbim qendror i inteligjencës dhe sigurisë vepron Agjencia Sllovene e Inteligjencës dhe Sigurisë (SOVA), me seli në Lubjanë.
Kroacia: Emër i ri, njerëz të vjetër
“Në Kroaci, si në çdo vend tjetër që është reformuar në Evropë, veprojnë forma të ndryshme të agjencive të inteligjencës që kanë funksione dhe qëllime të ndryshme”, thotë historiani Martin Previshiq për Radion Evropa e Lirë.
Previshiq është autor i librit “Goli otok – historia”, një lloj studimi për kampin e Goli Otokut, i cili bazohet në dokumente të shumta nga arkivat e UDB-së, si dhe në një sërë dëshmish të ish-të burgosurve të kampit.Për transformimin e policisë sekrete nga sistemi i vjetër në të riun flet një anekdotë nga periudha kur Previshiq po mblidhte materiale për librin dhe po intervistonte ish-të burgosurit e Goli Otokut.
Njëri prej tyre i kishte treguar se ishte arrestuar në vitin 1948 si informbiroist. Kur në qelinë e tij kishte hyrë një anëtar i ri i UDB-së, ai i kishte mbajtur mend fytyrën. Dyzet vjet më vonë, në vitin 1991, kur Kroacia po shpallej e pavarur, ish-i burgosuri po shikonte televizorin dhe pa presidentin e parë të Republikës së Kroacisë, Franjo Tuxhman. Pranë tij ishte një burrë me kostum të bardhë, të cilin ish-i burgosuri e njohu. Ai e kishte identifikuar njeriun që kishte hyrë në qelinë e tij në vitin 1948. Ishte Josip Manolliq, që në atë kohë ishte kryeministër i Republikës së Kroacisë.
“E gjithë aparatura është trashëguar dhe ajo kishte, më shumë ose më pak, një rol të ngjashëm me atë që kishte në Jugosllavi”, shton Previshiq.
“Po, Jugosllavia u shpërbë, u shemb një ideologji e vjetër, erdhën disa paradigma të reja, por le të jemi realistë: i gjithë sistemi u mor përsipër sërish nga sistemi i vjetër”, thotë Previshiq.
Si Sllovenia, edhe Kroacia i ka hapur arkivat e UDB-së. Midis 15 dhe 20 mijë dosjesh, të mbledhura deri në fillim të viteve ’90, u bënë të qasshme për publikun.
REL-i nuk ka marrë përgjigje në pyetjen nëse disa nga dosjet mund të kenë mbetur të pahapura.
Ndër të tjera, në arkiva gjenden edhe dosja e të dënuarit për krime lufte Vojisllav Sheshel dhe e presidentit të parë të Kroacisë, Franjo Tuxhman.
Pavarësisht se praktikat e disa vendeve tregojnë ndikimin pozitiv që ka pasur hapja e arkivave, dosjet sekrete të UDB-së në disa shtete mbeten ende të klasifikuara.
Një rast i tillë është edhe në Mal të Zi. Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB), e themeluar në vitin 2005, një vit para shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, ka hapur vetëm një pjesë të materialeve arkivore që lidhen me periudhën deri në vitin 1948, pra me fazën e hershme të veprimtarisë së OZNA-së dhe fillimet e UDB-së.Avokati Nikolla Angellovski, i cili dy vjet më parë i kishte dorëzuar Kuvendit të Malit të Zi një kërkesë për miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve, thotë se materiali i publikuar nuk është i mjaftueshëm.
“Hapja është simbolike dhe e kufizuar. Bëhet fjalë për arkivin që mbulon periudhën më të hershme të sistemit të sigurisë shtetërore komunist pas Luftës së Dytë Botërore”, thotë Angellovski për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se ANB e ka deklasifikuar këtë pjesë me arsyetimin se nuk ekziston më “interes i sigurisë për ta mbajtur si material të klasifikuar”.
“Kjo do të thotë se për momentin në Mal të Zi nuk ekziston një kornizë e unifikuar ligjore që do të përcaktonte kush ka të drejtë qasjeje, në çfarë kushtesh, në çfarë mase dhe në çfarë mënyre mbrohen privatësia dhe informacionet e ndjeshme të sigurisë”.
Përgjatë periudhave të ndryshme kohore, qeveri të ndryshme në Serbi kanë premtuar se do t’i hapin dosjet e shërbimeve sekrete nga Lufta e Dytë Botërore e deri sot.
Opozita Demokratike e Serbisë (DOS), i cili fitoi zgjedhjet në vitin 2000 kundër Sllobodan Millosheviqit, e kishte premtuar këtë si para ardhjes në pushtet, ashtu edhe pas saj.
Ndër ta ishte edhe shkrimtari Dragosllav Mihailloviq, i cili në vitin 2012 tha për Radion Evropa e Lirë se ishte nën vëzhgim nga institucionet e sigurisë deri në vitin 1990.
“Në ato dosje ishin të fshirë emrat e disa njerëzve që kishin dhënë informacione për mua. Ndërsa njerëzit e shërbimit shënonin, për shembull, kur dhe me kë takohesha. Për shembull, mua më ka vëzhguar një person i quajtur Brana nga Valeva”, kishte treguar Mihailloviq, shkrimtar që ndërroi jetë në mars të vitit 2023.
Disa nga ata që i panë shënimet shprehnin dyshime se dosjet u ishin ndryshuar dhe redaktuar më pas, ndërsa rregullorja që lejonte qasjen u shfuqizua shpejt nga shteti me arsyetimin se ishte jokushtetuese.
UDB-ja në Kosovë ka përndjekur aktivistët politikë dhe kundërshtarët e regjimit, ndërsa ekzistojnë akuza dhe raste të dokumentuara të represionit dhe vrasjeve politike.
Një nga rastet e njohura është vrasja e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut Enver Hadri në vitin 1990 në Bruksel.
Në Kosovë sot funksionon Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), e formuar pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia në vitin 2008. Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje në pyetjen se çfarë ka ndodhur me arkivin e UDB-së që ndodhej në Kosovë.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se çdo zbulim i të dhënave apo informacioneve lidhur me arkivin e UDB-së duhet të trajtohet me rezerva, duke marrë parasysh “politikën antagoniste të Serbisë ndaj Kosovës”.
“Autoritetet serbe, përmes formave të ndryshme të luftës speciale kundër Kosovës, shpesh përdorin madje edhe të dhëna të inteligjencës apo të dhëna të UDB-së për të shënjestruar ose dëmtuar figura me ndikim në Kosovë. Deri më sot nuk ekzistojnë informacione të besueshme se arkivi i lidhur me UDB-në është shkatërruar apo është larguar nga Kosova, kur institucionet serbe janë tërhequr”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, pas disa agjencive të fragmentuara që u krijuan gjatë dhe pas luftës, sektori i sigurisë në vitin 2004 u transformua në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje dhe Hercegovinës.
Pas përfundimit të luftës, në vitin 1996 u themelua Agjencia për Hulumtim dhe Dokumentim (AID).