Shqipëria ofron qytete kozmopolite si Tirana, një përzierje e arkitekturës osmane, italiane dhe komuniste; qytete mijëravjeçare si Berati; fshatra piktoreskë ku bashkëjetojnë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë; Alpe madhështore dhe plazhe përrallore, shkruan travel.thewom.it.
Shqipëria është një udhëtim i plotë, një surprizë e këndshme fare pranë brigjeve italiane, transmeton atsh, përcjell KosovaPress.
Kemi përgatitur një guidë me vendet më të bukura për t’u vizituar në Shqipëri gjatë një udhëtimi pesë ose shtatëditor, duke përfshirë qytete, plazhe dhe atraksione natyrore.
TIRANANjë qytet i pasur me histori, Tirana ndërthur arkitekturën osmane të Xhamisë së Et’hem Beut me ndërtesat neobaroke dhe racionaliste të ministrive të ndërtuara gjatë pushtimit italian, si dhe me godinat e thjeshta dhe këndore tipike të periudhës komuniste, si Muzeu Historik Kombëtar.
E gjithë kjo përqendrohet në Sheshin Skënderbej, simbolin e qytetit. Vizitën mund ta nisni nga Kulla e Sahatit, 35 metra e lartë, ikonë e Tiranës që prej vitit 1820, për t’u zhytur më pas në atmosferën energjike, dinamike dhe plot lëvizje të kryeqytetit.
Ndalesë e rekomanduar është edhe Pazari i Ri, si dhe lagjja e famshme e Bllokut, e mbushur me kafene, bare dhe restorante moderne.
Ish-kryeqytet i Shqipërisë për një periudhë të shkurtër historike, sot Durrësi është porti më i rëndësishëm i vendit në Adriatik dhe praktikisht një zgjatim i Tiranës.
Durrësi ka një plazh të gjatë rreth 10 kilometra, por zhvillimi urban i pakontrolluar ka bërë që përgjatë vijës bregdetare të ngrihen dhjetëra hotele të mbushura me turistë gjatë verës.
Vizitoni Kalanë e Durrësit dhe Kullën Veneciane, Amfiteatrin e Durrësit – një nga më të vjetrit në Ballkan – Muzeun Arkeologjik, Termat Romake, Manastirin Ortodoks të Shën Vlashit, Xhaminë e Madhe dhe Qendrën Fetare Fatih.
QYTETI OSMAN, BERATI
Qyteti është shpallur Trashëgimi Botërore e UNESCO-s dhe përfaqëson një shembull të rrallë të bashkëjetesës harmonike mes myslimanëve dhe të krishterëve.
KRUJA, QYTETI I SKËNDERBEUT
Në brendësi të vendit ndodhet edhe Kruja, një qytet i vogël mesjetar dhe simbol i rezistencës shqiptare kundër Perandorisë Osmane.
Shkodra konsiderohet kryeqyteti kulturor i Shqipërisë dhe ndodhet pranë kufirit me Malin e Zi.
Mos humbisni Kalanë e Rozafës, një nga kështjellat më të ruajtura në vend.
Liqeni i Shkodrës është një tjetër mrekulli natyrore. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin Ballkanik dhe shtrihet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Mes maleve të jugut të Shqipërisë shtrihet Gjirokastra, një qytet që duket sikur ka mbetur i ngrirë në kohë.
E shpallur qytet-muze gjatë komunizmit dhe më pas Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, Gjirokastra ruan shtëpitë karakteristike kulla, Shtëpinë Skënduli, banesat osmane të shekullit XVIII, kalanë madhështore dhe pazarin tradicional.
Rreth 12 kilometra larg Fierit ndodhet Apolonia, qyteti antik i themeluar në shekullin VI para Krishtit nga kolonët grekë të ardhur nga Korinthi dhe Korfuzi.
SYRI I KALTËR
Syri i Kaltër është një nga mrekullitë natyrore më të famshme të Shqipërisë.
Nëse vizitoni Shqipërinë gjatë verës, nuk mund të humbisni plazhet e saj mahnitëse.
Me 460 kilometra vijë bregdetare në Adriatik dhe Jon, Shqipëria ofron plazhe të ngjashme me ato greke, por më ekonomike dhe më pak të mbipopulluara.
Vlora konsiderohet një nga perlat e turizmit shqiptar.
Përveç muzeve të shumta, qyteti ofron plazhe fantastike si Uji i Ftohtë, Radhima, Orikumi dhe Palasa.
Ndër plazhet më të njohura dhe moderne janë Dhërmiu dhe Drymades.
Saranda, e quajtur shpesh “Nimfa e Jonit”, është një nga destinacionet më të bukura turistike të vendit.
Pas vizitës në Kalanë e Lëkurësit, Manastirin e 40 Shenjtorëve dhe Parkun Arkeologjik të Butrintit, pushuesit mund të relaksohen në plazhe të mrekullueshme.
Ndër plazhet më të njohura janë Santa Quaranta, Plazhi i Manastirit, Gjiri i Hartës dhe Heaven Beach.
Ksamili mbetet simboli i rivierës shqiptare me rërën e bardhë dhe ujërat ngjyrë bruz. Ndërsa Krorëza konsiderohet ndër plazhet më të paprekura, dhe Kakomeja ndër më spektakolaret.
Adhuruesit e natyrës duhet të vizitojnë Parkun Kombëtar të Lurës, i famshëm për 12 liqenet akullnajore dhe për speciet e rralla si ariu i murrmë, rrëqebulli dhe ujku euroaziatik.
Për apasionantët e maleve, Alpet Shqiptare janë një destinacion i domosdoshëm. Fshati Theth është pika kryesore e nisjes për eksplorimin e zonave malore të Thethit, Bogës, Razmës dhe Vermoshit.
Për pushime në plazh, periudha ideale është vera.
Muajt nëntor dhe dhjetor rekomandohet të shmangen, pasi janë zakonisht më të lagështit dhe me reshjet më të shumta gjatë vitit.