Një hulumtim i CBS News ka zbuluar një skemë të rrezikshme në industrinë e transportit rrugor në SHBA, në të cilën përfshihet edhe Serbia.
Bëhet fjalë për kompani transporti që ndryshojnë emra dhe identitete për të shmangur historikun e shkeljeve dhe kontrolleve të sigurisë, të ashtuquajturat “transportuesit kameleon”.
Një nga rrjetet më të përmendura në hetim është Super Ego Holding, me bazë në Serbi dhe SHBA, e cila është aktualisht nën hetim federal dhe pjesë e një padie kolektive nga qindra shoferë. Sipas autoriteteve dhe ish-punonjësve, kjo kompani përbën një nga rastet më të njohura të kësaj skeme në rrugët amerikane. Kamionët e markës Super Ego nisën transportin e mallrave në SHBA para shtatë vitesh. Kompania u themelua nga sipërmarrësi serb Aleksandar Mimiq dhe është zgjeruar në një rrjet të madh të lidhur me më shumë se dy duzina transportues në SHBA, me qendra në Elmhurst, Illinois dhe Jacksonville, Florida, si dhe me klientë të mëdhenj si Amazon, Walmart, Costco dhe Shërbimi Postar i SHBA-së.
Eksperti i sigurisë në transport, Rob Carpenter, shpjegon se këto kompani funksionojnë duke krijuar dhe mbyllur vazhdimisht biznese të reja për të shmangur historikun e shkeljeve, duke filluar nga e para çdo herë dhe duke hyrë sërish në treg pa reputacion negativ. Sipas tij, kjo i bën ato të duken “të pastra” në sistem, edhe pse në realitet kanë një histori të rëndë shkeljesh.Rrjeti Super Ego akuzohet nga shoferët për kushte të rënda pune dhe shfrytëzim financiar. Shoferi Daniel Sanchez, i cili iu bashkua kompanisë në vitin 2025, thotë se premtimet për të ardhura të larta nuk u realizuan dhe se shpesh ka përfunduar pa pagesë ose edhe me borxh.
“Për mua personalisht është shkatërruese, sepse kjo ishte ëndrra ime – të kisha kamionin tim. Mendova se kjo kompani do të më ndihmonte të arrija aty ku doja. Por atyre nuk u intereson. Nuk je njeri për ta, je vetëm një numër”, tha Sanchez.
Sipas tij, në disa periudha, fitimet e rrjetit mund të arrinin deri në miliona dollarë në javë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e parave merrej nga tarifat dhe zbritjet ndaj shoferëve.
Aktualisht, më shumë se 800 shoferë kanë ngritur padi kundër kompanisë dhe rrjeteve të lidhura me të, duke e akuzuar për mashtrim dhe shkelje të kontratave.