Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e ka hedhur poshtë si të papranueshme ankesën e Millorad Dodik kundër një vendimi të gjykatës së Bosnjës, e cila vitin e kaluar e dënoi me burgim dhe e shkarkoi nga detyra e presidentit të entitetit serb Republika Sërpska.
Gjykata në Strasburg konfirmoi të martën për REL se vendimi u mor nga një gjyqtar i vetëm në maj, transmeton KosovaPress.
Në përgjigjën për REL-in gjykata e Strasburgut nuk tregoi arsyet e hollësishme për refuzimin e ankesës së Dodikut, por theksoi se arsyet shpjegohen në vetë vendimin, i cili u nxor në përputhje me Rregullin 52A të gjykatës.
Rregulli 52A i lejon një gjyqtari të vetëm ta rrëzojë një ankesë si të papranueshme në fazën fillestare të procedurave, pa një shqyrtim të hollësishëm të meritave.Gjykata thekson se vendimi, së bashku me arsyetimin e gjyqtarit, iu dorëzua ankuesit ose përfaqësuesit të tij ligjor, dhe i shpjegoi REL-it se ka disa arsye pse një ankesë mund të refuzohet, në përputhje me udhëzimet për pranueshmërinë e përdorura nga Gjykata.
Dokumenti sqaron se Gjykata i refuzon kërkesat, ndër të tjera, nëse mjetet juridike të brendshme nuk janë shteruar, nëse ato paraqiten jashtë afatit të caktuar kohor ose nëse Gjykata i konsideron ato qartësisht të pabazuara.
Në prill Dodik kishte kërkuar masë të përkohshme për pezullimin e zbatimit të vendimeve të gjykatave vendase në Bosnje kundër tij.
Dodik u largua nga posti i presidentit të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, në fund të vitit të kaluar, pasi dënimi i tij u konfirmua nga institucionet e brendshme gjyqësore.