Kosova mori një shtytje politike në synimin e saj për t’u bërë pjesë e NATO-s, aleancës ushtarake që ndërhyri më 1999 për t’i dhënë fund luftës, pasi tre kongresistë amerikanë paraqitën këtë javë një rezolutë në mbështetje të aspiratës së saj të kamotshme.
Rezoluta, e paraqitur më 30 prill me mbështetje dypartiake nga kongresistët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, nxiti gjithashtu reagim të menjëhershëm nga Serbia, e cila rregullisht e lufton anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Në letër, Kosova mund të mos jetë shumë më afër anëtarësimit, duke qenë se katër aleatë të NATO-s ende nuk e njohin, por ky është hap në drejtimin e duhur në një kohë kur gjendja e sigurisë në rajon po përkeqësohet”, thotë Stradner për Radion Evropa e Lirë.
Kosova nuk ka bërë ende kërkesë formale për t’u anëtarësuar në NATO, pasi përballet me pengesa të mëdha, siç është mungesa e njohjes së saj nga katër vendet anëtare: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.Për më tepër, Kosova nuk është as pjesë e programit të NATO-s, Partneriteti për Paqe, i cili shërben si rrugë për çdo vend që dëshiron të bëhet anëtare e aleancës ushtarake.
Pranimi i një anëtari të ri kërkon njëzëshmëri brenda aleancës, prandaj edhe rezoluta e paraqitur nga kongresistët i kërkon Uashingtonit t’i nxisë këto katër vende anëtare ta njohin shtetin më të ri në Evropë.
Ka pasur zëra muajt e fundit se SHBA-ja mund t’i tërheqë trupat e saj nga NATO-ja, përfshirë nga misioni paqeruajtës i saj në Kosovë, KFOR.
Rreth 590 forca amerikane shërbejnë në Kosovë si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s.
Dhe, sipas Stradnerit, kjo rezolutë gjithashtu “dërgon mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të investojnë në rolin dhe kohezionin e NATO-s”.
Stradner beson se paraqitja e rezolutës amerikane në këtë kohë pasqyron “si tensionet e vazhdueshme rajonale, ashtu edhe një garë më të gjerë gjeopolitike, ku zonat gri po shihen gjithnjë e më shumë si dobësi”.
Tensionet në rajon janë shtuar kohëve të fundit, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që pretendon pa ofruar prova se vendet fqinje “po përgatitën” për sulm ndaj saj.
Ai po i referohej një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, dhe dy anëtareve të NATO-s: Shqipërisë dhe Kroacisë.
Stradner thotë se Ballkani Perëndimor ka treguar tashmë se sa shpejt mund të përshkallëzohen tensionet, duke i përmendur incidentet gjatë protestave të vitit 2023 në veriun e banuar me shumicë serbe, ku u lënduan mbi 90 paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Këto incidente, sipas saj, nënvizojnë se aleanca “nuk po përballet me rreziqe abstrakte, por me pika reale tensioni”.
“Vendet jashtë NATO-s, si Ukraina, mbeten të ekspozuara, ndërsa anëtarësimi në NATO ofron një nivel parandalimi që aktorë si Putini hezitojnë ta sfidojnë drejtpërdrejt”, thotë ajo.
Kundërshtimi i Serbisë i “parashikueshëm”
Serbia e lufton publikisht pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe, sipas Stradnerit, reagimi i Vuçiqit ndaj rezolutës amerikane nuk është i papritur.
Megjithatë, ajo nuk i është përmbajtur zotimit tri vjet pas dhe e ka vazhduar lobimin kundër fqinjit.
“Kundërshtimi i Vuçiqit ndaj kësaj rezolute është i parashikueshëm. Ai ka pak interes të mirëpresë një prani më të fortë të NATO-s, por pjesëmarrja e Serbisë në ushtrime të rastësishme të NATO-s nuk duhet të ngatërrohet me një rreshtim të plotë, sidomos duke pasur parasysh bashkëpunimin e saj paralel ushtarak me Rusinë dhe Kinën”, thekson Stradner.
Megjithatë, njëkohësisht, ajo kryen vazhdimisht stërvitje ushtarake me Kinën dhe nuk i është bashkuar Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
“Serbia është duke i zgjeruar kapacitetet e veta ushtarake me mbështetjen e partnerëve të jashtëm, ndërsa Vuçiq po vazhdon të balancojë mes Brukselit, Moskës dhe Pekinit në një mënyrë që ngre shqetësime të arsyeshme për drejtimin afatgjatë të Serbisë”, nënvizon Stradner.“Presionet e brendshme gjithashtu kanë rëndësi: ndërsa protestat dhe tensionet politike brenda Serbisë rriten, ekziston një model i përsëritur ku Vuçiq priret të përshkallëzojë për të de-përshkallëzuar situatën në rajon”, përfundon ajo.