Edhe 17 vjet pas demarkacionit me Maqedoninë e Veriut, ka qytetarë të Kosovës që nuk janë kompensuar për pronat e tyre të mbetura në anën tjetër të kufirit.
Këtë shqetësim të banorëve të zonës e ngriti të martën Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, në takimin trepalësh me homologët e tij nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, Faton Selmani e Endrit Shabani, ku u diskutua për çështjet civile me element ndërkufitar, problemet me lejet e qëndrimit, njohjen e vendimeve gjyqësore, e ndotjen mjedisit.
“Kemi pasur disa raste kanë pasur në vonesa për leje qëndrim, e kërkesa shtesë në dokumentacion. Çështjet e punësimeve besoj se do të jenë problematikë e së ardhmës. Nuk kemi evidencë të saktë sa qytetarë të huaj kanë ardhur në Kosovë. Me disa qytetarë të Kosovës në vijën kufitare me Maqedoninë kemi pasur ankesa se kur është bërë demarkacioni në Maqedoni një pjesë e madhe e pronave janë ndarë, i kanë vendosur në shtetet respektive. Kanë prona që kanë mbetur në territorin e Maqedonisë. Kemi parë që Qeveria nuk ka marrë veprim konkret për t’i kompensuar ata”, tha Qelaj.
Që të tre avokatët do të deklarohen më vonë në një konferencë të përbashkët për media.