Kurti: Do të parandalohen fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Kurti: Do të parandalohen fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve
Do të parandalohen fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve, tha kryeministri Albin Kurti, duke prezantuar Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Kreu qeveritar, në fjalimin e tij në mbledhjen e qeverisë të premten, e konsideroi të domosdoshme hyrjen në fuqi të këtij ligji për të evituar keqpërdorimet në emër të krizave të vazhdueshme dhe rritjen artificiale të çmimit, në raste të krizave globale.
“Ja ku jemi me kriza të reja në sfond global që tash këto kriza e prekin xhepin e qytetarëve tanë. Andaj po e risjellim këtë projektligj që vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti dhe përvoje që qytetarët tanë e kanë përjetuar. Rritje të papritura të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave efektivë për mbrojtje dhe ruajtje. Me këtë ligj ne nuk po hyjmë në tregun e lirë, por përkundrazi po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi. Ky projektligj vendos një balancë të domosdoshme ndërmjet funksionimit të lirë të tregut dhe përgjegjësisë së shtetit për të mbrojtur interesin publik në situata të jashtëzakonshme. Ai krijon instrumente të qarta për ndërhyrje të përkohshme të bazuar në fakte, duke shmangur deformimet afatgjata të tregut. Ky ligj garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë në kohë krize. Parandalon spekulimet dhe fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve. Më tej siguron reagim të shpejtë institucional kur tregu destabilizohet. Për herë të parë krijojmë mekanizmin e pavarur, bordin që vendos mbi bazën e të dhënave dhe interesit publik dhe kurrsesi mbi interesa të ngushta. Shtetet e BE-së kanë mekanizma të tillë”, tha ai.
Kurti shtoi se që prej ardhjes në pushtet në vitin 2020 e më pas në vitin 2021 janë përballur me kriza globale që kanë afektuar edhe qytetarët e Kosovës.
Krahas kësaj, Kurti tha se në mbledhjen e sotme do të miratohet edhe Projektligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.