Qeveria e Shqipërisë po ndërmerr masa të shtuara sigurie në bregdetin shqiptar, edhe kësaj vere cak i mijëra qytetarëve edhe nga Kosova.
Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë , Besfort Lamallari prezantoi në Durrës masat e marra për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik veror 2026.
“Vetëm gjatë vitit 2025, Policia Detare u ka ardhur në ndihmë 231 qytetarëve dhe 80 mjeteve lundruese që u gjendën në vështirësi në det. Edhe këtë sezon, Njësia Policore Detare do të jetë aktive me 35 motorë uji, personel të trajnuar dhe monitorim nga ajri me dronë, në funksion të sigurisë së pushuesve. Policia Kufitare do të lehtësojë procedurat për jahtet dhe mjetet lundruese që vizitojnë vendin tonë. Ky është një kontribut i rëndësishëm që krijon lehtësira për turizmin detar në Shqipëri. Misioni ynë është një shërbim profesional dhe dinjitoz, për një Shqipëri moderne dhe mikpritëse, që plotëson standardet evropiane duke ruajtur vlerat më të mira të saj. Sezoni turistik 2026 do të jetë një sezon i sigurt dhe synojmë që vendi të rrisë edhe më tej numrin e turistëve që zgjedhin Shqipërinë për ta vizituar”, tha Lamallari.
Autoritetet theksuan se siguria e qytetarëve dhe e miliona turistëve që vizitojnë vendin mbetet prioritet, ndërsa Policia e Shtetit, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare do të jenë të angazhuara gjatë gjithë sezonit veror me patrullime të shtuara, teknologji bashkëkohore dhe gatishmëri të plotë për të garantuar rendin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik.