Shqipëria po renditet gjithnjë e më shumë mes destinacioneve më të kërkuara të verës në Evropë, shkruan Teresa Navarro Ortega në një artikull të botuar në median spanjolle “Noticias del Vino”, transmeton KosovaPress.
“Nëse ende nuk keni kërkuar se çfarë të vizitoni në Shqipëri, jeni paksa vonë, por ende në kohë për të shpëtuar pushimet dhe portofolin tuaj. Ky vend është shndërruar në fenomen viral në TikTok për një arsye të thjeshtë: është një nga destinacionet e pakta në Mesdhe ku mund të shijoni një vakt buzë detit për vetëm 10 euro”, kështu nis artikulli i Teresa Navarro Ortega dedikuar shtetit shqiptar.
Kur flitet për Shqipërinë, shumica e vizitorëve mendojnë menjëherë për jugun.
Megjithatë, gjatë muajit gusht numri i vizitorëve është shumë i lartë.
Për ata që preferojnë një atmosferë më të qetë dhe më autentike, Dhërmiu është një alternativë ideale.
Shqipëria nuk ofron vetëm plazhe. Për ata që janë të apasionuar pas historisë, një udhëtim drejt vendeve kulturore është i domosdoshëm.
Shtëpitë karakteristike të periudhës osmane ngjiten në shpatin e kodrës deri te kalaja, e cila vazhdon të jetë e banuar edhe sot.
Pak orë më larg ndodhet Gjirokastra, e njohur si qyteti i gurtë dhe vendlindja e Enver Hoxhës.
Një tjetër ndalesë e rëndësishme është Butrinti, parku arkeologjik ku ndërthuren gjurmët e qytetërimeve greke, romake dhe bizantine, mes një peizazhi natyror të dominuar nga laguna.
Vizita aty të krijon ndjesinë sikur je pjesë e një filmi aventurash.
Shumë vizitorë e anashkalojnë veriun e Shqipërisë, megjithëse ai ofron disa nga peizazhet më spektakolare të Ballkanit.
Për adhuruesit e natyrës dhe ecjeve malore, itinerari nga Thethi në Valbonë konsiderohet një nga më të bukurit në rajon.Për të mbërritur në këtë zonë, duhet të përshkohet Liqeni i Komanit me traget.
Udhëtimi, me shkëmbinjtë që ngrihen mbi ujërat me ngjyrë smeraldi, konsiderohet nga më të bukurit në Ballkan dhe kushton më pak se 10 euro.
Kryeqyteti është i gjallë, dinamik dhe plot kontraste.
Një nga atraksionet më të rëndësishme është Bunk’Art, bunkeri i madh nëntokësor i shndërruar në muze arti dhe historie, i cili ndihmon vizitorët të kuptojnë periudhën e gjatë të izolimit të Shqipërisë.
Në mbrëmje, Blloku është lagjja më e frekuentuar, me restorante, kafene dhe bare moderne.
Syri i Kaltër dhe mrekullitë natyrore
Në jug të vendit ndodhet Syri i Kaltër, një burim natyror me ujë jashtëzakonisht të kthjellët, ku qendra ka një ngjyrë blu të errët, ndërsa skajet marrin nuanca bruzi.
Zhytësit kanë zbritur mbi 50 metra pa arritur fundin.
A është e sigurt Shqipëria për turistët?
Paragjykimet e së kaluarës nuk pasqyrojnë më realitetin.
Vendi po zhvillohet me ritme të shpejta.
Për këtë arsye, kush dëshiron të zbulojë Shqipërinë në formën e saj më autentike, duhet ta vizitojë sa më parë.
Sapo ky destinacion të zbulohet nga një numër edhe më i madh turistësh ndërkombëtarë, ai nuk do të mbetet më sekreti i fshehur që është sot.