Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar këtë të diel, një ditë pas koncertit të Kanye West në Tiranë, duke e cilësuar organizimin si një ngjarje me jehonë globale dhe duke iu përgjigjur kritikave që shoqëruan zhvillimin e saj.
Në një videomesazh të publikuar në rrjetet e tij sociale, Rama tha se Shqipëria “nuk organizoi thjesht një koncert”, por një aktivitet që, sipas tij, falë famës së artistit dhe shpërndarjes në rrjetet sociale, “u bë në çdo cep të botës një lajm”.
“Në Shqipëri zakonisht, këtë herë edhe më shumë se sa zakonisht – arsyeja dihet – ngjarja u bë një motiv i ri dasie shumë të egër, ku një furri dhune edhe marrëzie u lëshua kundër një koncerti”, u shpreh Rama.
“Zhvillimi nuk është një bukë me një madhësi fikse, ku çdo euro që ndahet për një koncert i hiqet një pensionisti, i hiqet një të sëmuri, apo i hiqet një nxënësi. Zhvillimi është aftësia për ta bërë bukën më të madhe, që në ndarjen e saj më pas, të ketë më shumë për të gjithë”, deklaroi ai.
Kryeministri solli në vëmendje edhe projektin e Rilindjes Urbane, për të cilin tha se ka nxitur zhvillim ekonomik, duke argumentuar se investimet publike krijojnë një efekt zinxhir në ekonomi.
“Një koncert madhështor nuk lë pas vetëm një shenjë të bukur në kujtesën e atyre që e shijuan. Ai lë para në arkat e hoteleve të mbushura, të restoranteve plot, të kafeneve, të dyqaneve, të sipërmarrjeve që merren me transportin, që merren me sigurinë, me teknikën, me logjistikën… Ai krijon fitime për biznesin, krijon mundësi pune për njerëzit e angazhuar, duke mbledhur njëkohësisht edhe të ardhura për shtetin përmes taksave mbi atë vlerë të shtuar, si dhe miliona sy të drejtuar nga Shqipëria”, u shpreh ai.
“Ai i tregon botës se ky është një vend ku edhe kur ka protesta, ka mikpritje, ka siguri dhe mund të organizohen ngjarje të mëdha me pasion dhe me profesionalizëm. Një vend i lirë, demokratik, ku s’duhet të kesh asnjë droje që të vish, të pushosh, të rikthehesh dhe të mendosh t’investosh”, tha kryeministri.
Reperi amerikan Kanye West mbajti mbrëmjen e së shtunës një koncert madhështor në Tiranë, duke sjellë një atmosferë elektrizuese dhe një spektakël që tërhoqi mijëra adhurues.