Deputeti i zgjedhur i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, ka përsëritur një sërë pretendimesh të njohura të Beogradit zyrtar lidhur me procesin zgjedhor, pozitën e serbëve në Kosovë dhe institucionet e Kosovës, duke akuzuar pa paraqitur prova se një mandat i komunitetit serb është "vjedhur" përmes votave të shqiptarëve.
Një pjesë e konsiderueshme e deklarimeve të Simiqit lidhet me akuzat ndaj kryeministrit Albin Kurti. Ai e akuzoi atë për, siç u shpreh, "nacionalizëm", "diskriminim ndaj serbëve" dhe "apartheid", duke pretenduar se gjatë mandatit të Kurtit kanë ndodhur mbi një mijë sulme ndaj serbëve dhe arrestime arbitrare. Për këto shifra dhe akuza ai nuk ofroi burime apo dokumentacion mbështetës. Vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti i është drejtuar qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë disa herë në serbisht, për të evituar mundësinë për dezinformim. Por, për Simiqin si duket kjo nuk çon peshë. Ai madje kritikoi edhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, duke pretenduar se Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë po heshtin ndaj, sipas tij, “shkeljeve të të drejtave të serbëve në Kosovë”.
Simiq pretendoi se Rashiq ka marrë një numër të konsiderueshëm votash në komuna ku, sipas tij, nuk jetojnë serbë, duke e cilësuar këtë si dëshmi të manipulimit zgjedhor. Megjithatë, ai nuk paraqiti asnjë provë konkrete që do të mbështeste pretendimet për manipulim apo "vjedhje" të mandatit.
“Si mund të ketë mbështetje të serbëve. Dëgjoni vetëm disa të vërteta. Ai ishte ministër i Kurtit kur u votua rrëmbimi, eksploatimi i tokave në veri. Ky nuk ishte eksploatim por vjedhje klasike e tokave të serbëve në komunat Zubin Potok dhe Leposaviq, për ndërtimin e bazave parapolicore dhe njësive speciale. Pra në tokat serbe u ndërtuan baza policore e në të cilat janë kryesisht shqiptarët me tyta të gjata, mjete të blinduara”, pretendoi Simiq.
Ai gjithashtu përsëriti qëndrimin tradicional të Listës Serbe se mbështetja financiare dhe institucionale e Serbisë është vendimtare për mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë, duke theksuar se Beogradi vazhdon të financojë sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe pagesat për një pjesë të qytetarëve serbë në Kosovë.
Ndërkohë, institucionet e Kosovës kanë theksuar vazhdimisht se proceset zgjedhore zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe monitorohen nga misione vendore e ndërkombëtare të vëzhgimit. Raportet e tyre nuk kanë konstatuar manipulime që do të ndryshonin rezultatin zgjedhor apo ndarjen e mandateve.