Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka konfirmuar ofertat konkrete që i ka bërë kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikut dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza për tejkalimin e bllokadës politike për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, për tejkalimin e bllokadës politike duhet të bëhet një “rokadë” në mes të pozitave.
Kurti shtoi se përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë marrë më shumë vota se disa nga liderët e partive opozitare, kështu që sipas tij VV-së duhet të i takon pozita e presidentit.
Në raport me LDK-në, ai tha se ka ofruar mundësi për përfshirje në qeveri.Megjithatë, ai është shprehur i habitur që opozita i ka refuzuar këto propozime.
“Si është e mundshme që i refuzuan. Jo, neve na e ka thënë paraprakisht që ne nuk mund të bashkëqeverisim sepse ju nuk mund t’i keni të tri pozitat. Epo, nëse s’mund t’i kemi tri pozitat, ja po i kemi vetëm dy. Plus që presidenti kur zgjidhet s’mund të jetë anëtar i partisë. Pra, nëse do ta kishin kryetarin e Kuvendit, nuk do t’i kishim tri pozitat. Edhe, mos harroni, me datën 3 shkurt të vitit 2020 kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ia ka liruar vendin Vjosa Osmanit. E kemi bërë edhe më herët këtë rokadën”, deklaroi Kurti
Ndërkaq, sot kur jemi rreth një javë para përfundimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, qëndrimet e PDK-së dhe LDK-së, janë se konsiderojnë të përmbyllur kontributin e tyre në procesin e zgjedhjes së presidentit. Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit nga Kuvendi i Kosovës, është 28 prilli.