Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, ka dalë në mbrojtje të kompanisë kineze Serbia Zijin Copper pasi autoritetet amerikane ndaluan importin e bakrit dhe produkteve të saj në SHBA për shkak të dyshimeve për përdorim të punës së detyruar.
Pavarësisht këtyre akuzave, Vuçiq ka zgjedhur të mbrojë kompanitë kineze, duke argumentuar se ato kanë rëndësi të madhe për ekonominë serbe dhe punësimin në vend.
“Besoj se përmes dialogut me amerikanët do të mund të ndihmojmë të paktën disi kompaninë nga Bori, e cila punëson 7.000 njerëz dhe mban gjallë lindjen e Serbisë”, deklaroi ai gjatë një vizite në punimet e Korridorit të Frushka Gorës.
Sipas tij, ‘Serbia po paguan çmimin e rivalitetit gjeopolitik mes SHBA-së dhe Kinës’.Autoritetet amerikane thanë se punëtorët në kompani janë përballur me gjashtë tregues të punës së detyruar, të përcaktuar nga International Labour Organization: shfrytëzim të pozitës së cenueshme, mbajtje të pagave, kërcënime dhe frikësim, kufizim të lëvizjes, konfiskim të dokumenteve personale dhe punë të tepërt jashtë orarit.
Kompania Zijin Copper i ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se kundërshton çdo formë të punës së detyruar dhe se po kryen verifikime të brendshme lidhur me pretendimet.
KosovaPress