Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Bilall Kasamit dhe jo shpërbërjen e Këshillit Komunal të Tetovës
Në reagimin e BDI-së thuhet se Bilall Kasami edhe një herë dëshmoi para qytetarëve pafuqinë e tij politike dhe institucionale. Në pamundësi për të marrë përgjegjësi dhe për të zgjidhur problemet e Tetovës, tani tenton ta kamuflojë dështimin e tij me teorira për zgjedhje të reja për Këshillin e Komunës së Tetovës
Në vend të veprimit, Bilall Kasami prodhon teori juridike të paqena. Në vend të përgjegjësisë, kërkon alibi. Në vend të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemit, tenton të krijojë krizë artificiale dhe ta përdorë atë si pretekst për zgjedhje të reja.
Për hir të së vërtetës, BDI si pikë të rendit të ditës nuk e ka propozuar listën e njëjtë të emrave të abroguar nga Gjykata Kushtetuese. Lista e propozuar përmban gjithsej 67 emra dhe, rrjedhimisht, kjo çështje nuk mund të përdoret si shkak apo pretekst për shpërbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës.Sot pyetja është shumë e qartë: a ka marrë Bilall Kasami leje nga VMRO-DPMNE që të votojë nismën e shqiptarëve? Nëse ka vullnet, le ta votojë. Nëse nuk guxon, le ta thotë publikisht se pret leje nga partnerët e tij qeveritarë.
Nëse Bilall Kasami dhe partnerët e tij duan zgjedhje, atëherë BDI kërkon që të mos fshihet pas shpërbërjes së Këshillit Komunal. Le të japë Bilall Kasami dorëheqje të menjëhershme nga posti i Kryetarit të Komunës së Tetovës dhe le të shkojmë në zgjedhje.