Hamza: PDK-ja do të qëndrojë në opozitë, i urojmë suksese Kurtit me partitë të tjera të formojnë institucionet
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Hamza: PDK-ja do të qëndrojë në opozitë, i urojmë suksese Kurtit me partitë të tjera të formojnë institucionet
738937334_898506146646914_6411250634533967363_n
10/07/2026 - 11:06
Linku u kopjua

Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë në opozitë, tha kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, pas takimit me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ai tha se bisedat me Kurtin ishin korrekte, por i uroi atij suksese për formimin e institucioneve të reja, përfshirë presidentin.

“Bazuar në bisedat që kemi pasur dhe diskutimet, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është se PDK-ja për këtë mandat është parti në opozitë. Ne i dëshirojmë sukses zotëri Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë që t’i japin vendit institucione, duke përfshirë të gjitha institucionet. Përveç PDK-së, në Kuvendin e Kosovës janë edhe 98 deputetë të tjerë dhe matematikisht mundet me u bërë kompletimi i të gjitha institucioneve. Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike brenda Kuvendit në dobi dhe interes të qytetarëve të Kosovës dhe për të gjitha ato çështje ku është interesi i Kosovës, PDK-ja ka dëshmu dhe kemi premtu se vota e PDK-së do të jetë votë pro, duke përfshirë marrëveshje financiare dhe marrëveshje të tjera që përfshijnë dy të tretat e votave”, tha ai.

I pyetur se si do të veprojnë në zgjedhjen e presidentit, Hamza tha se përgjegjësia kryesore për formimin e institucioneve i takon LVV-së si partia me numrin më të madh të ulëseve në Kuvend.

“Qëndrimi ynë është se PDK-ja do të ketë rolin e vet konstruktiv në interes të vendit si parti opozitare brenda Kuvendit. Nuk jemi na pala që na bëhen kërkesat, pasi përgjegjësinë për krijimin e institucioneve e ka LVV si partia më e madhe me ulëse në Kuvend. Të gjitha partitë e tjera politike nuk munden me zgjedh presidentin pa LVV-në. LVV-ja duhet me gjetë partner sipas nevojave dhe kritereve të tyre për me i dhënë vendit institucione”, shtoi Hamza.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të premten ka ftuar në takim edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini. Ky i fundit ka refuzuar takimin, derisa ka përmendur disa prej kërkesave të tij, përfshirë gazin amerikan për ta bërë kuorumin për presidentin.

KQZ certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit të mërkurën. Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend. E dyta, Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse. Kurse komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse./KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026