Për më shumë se 12 vjet, Edi Rama ka fituar një sfidë që dukej e pamundur, shkruan Anna La Rosa për median e njohur italiane ladiscussione.it.
Ai mori një vend, që për një pjesë të madhe të Europës ishte sinonim i emigracionit, prapambetjes dhe kriminalitetit dhe e shndërroi në një nga ekonomitë më dinamike të Mesdheut, në një destinacion turistik ndërkombëtar dhe në një kandidat të besueshëm për anëtarësim në Bashkimi Evropian.
Por, një lagunë.
Rreth Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës, në jug të Shqipërisë, po luhet një betejë që shkon shumë përtej mjedisit, turizmit apo urbanistikës. Protesta e lindur kundër projektit turistik të mbështetur nga investitori amerikan Jared Kushner është shndërruar shpejt në diçka tjetër, një kundërshtim politik, një terren përplasjeje identitare dhe, ndoshta, testi i parë i vërtetë i ciklit të gjatë qeverisës të Edi Ramës.”Shqipëria nuk është në shitje” është bërë slogani kryesor i një pjese të protestuesve.
Për qeverinë, projekti përfaqëson një investim strategjik, të aftë të tërheqë kapital, vende pune dhe turizëm elitar. Për kundërshtarët, ai është simboli i një zhvillimi që perceptohet si tepër i shpejtë, pak i diskutuar dhe i largët nga komunitetet lokale.
Një qëndrim në përputhje me atë që më shpjegoi disa javë më parë gjatë intervistës së botuar nga ”Il Giornale”.
”Faza negative e Shqipërisë tashmë është pas nesh”, më tha ai.
Dhe pikërisht këtu shfaqet kuptimi i vërtetë politik i kësaj çështjeje. Sepse në lojë nuk është vetëm një lagunë. Në lojë është vetë narrativa e Shqipërisë që Rama ka ndërtuar gjatë 12 viteve të fundit.
Në sfond të kësaj historie shfaqet edhe një dimension gjeopolitik që e bën çështjen shumë më komplekse se një protestë e zakonshme mjedisore.
Në një intervistë të fundit për “Financial Times”, Rama deklaroi se një pjesë e fushatës kundër projektit të Kushnerit mund të jetë amplifikuar nga aktorë të lidhur me Iranin. Një akuzë që natyrisht kërkon verifikime dhe prova, por që nuk lind në vakum.
Për këtë arsye, kur Rama flet për ndërhyrje të jashtme, ai nuk kufizohet te një polemikë e brendshme politike, por e vendos protestën e Zvërnecit në kuadrin më të gjerë të luftërave hibride, dezinformimit dhe fushatave të ndikimit që përshkojnë sot Ballkanin dhe Europën.
Natyrisht, protesta ekziston dhe pyetjet e ngritura nga qytetarët dhe ambientalistët meritojnë përgjigje. Por, sipas kryeministrit, një pjesë e jehonës ndërkombëtare të saj mund të ketë origjinë tjetër nga ajo që duket në sipërfaqe.Sepse projekti i Kushnerit nuk është thjesht një investim turistik. Ai është një investim amerikan në një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i udhëhequr nga një lider që e ka bërë orientimin perëndimor të Shqipërisë boshtin kryesor të veprimit të tij politik.
Në intervistat e tij më të fundit, Rama është ndalur shumë edhe te një tjetër temë: manipulimi i perceptimit publik.
Javët e ardhshme do të jenë vendimtare.
Mund të kundërshtohen zgjedhje të caktuara, mund të debatohen projektet urbanistike dhe mund të kërkohen garanci më të mëdha mjedisore. Më e vështirë është të mohohet se Shqipëria e sotme është thellësisht e ndryshme nga ajo e 12 viteve më parë.
Kush e njeh atë vend e di se ndryshimi ka qenë i jashtëzakonshëm dhe se një pjesë e madhe e përparimeve ekonomike, institucionale dhe ndërkombëtare të Shqipërisë mbajnë firmën e Edi Ramës.
Për këtë arsye është e vështirë të imagjinohet një Shqipëri që e përfundon rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian pa liderin që, më shumë se kushdo tjetër, e ka afruar me Europën.
Dhe pikërisht për këtë arsye, sfida e Zvërnecit nuk është vetëm një sfidë për kryeministrin.