Shkruan Ambasadori i SHBA-së në NATO, Methju Uitëker ekskluzivisht për KosovaPress
Muajin e kaluar u bënë 27 vjet që kur NATO-ja, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë, ndërhyri për ta ndalur katastrofën humanitare në Kosovë. Disa muaj më vonë, në qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë për të ndihmuar për t’i dhënë fund dhunës, për mbrojtjen e civilëve dhe për t’i vënë themelet e një të ardhmeje paqësore. Që atëherë, Forca e Kosovës e NATO-s (KFOR) është bërë ndër institucionet më të besuara në Kosovë. Prania e saj ka penguar dhunën, ka siguruar paqe për komunitetet dhe ka krijuar hapësirën e nevojshme të sigurisë për zhvillimin e institucioneve demokratike dhe të një shoqërie civile dinamike. Profesionalizmi dhe sakrificat e amerikanëve dhe aleatëve që kanë shërbyer nën flamurin e KFOR-it kanë shpëtuar jetë dhe kanë ndihmuar në lehtësimin e arritjes së përparimit në rajon.
Bashkëpunimi i fuqishëm në fushën e mbrojtjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është qendror për këtë vizion. Kosova i ka rritur shpenzimet për mbrojtje, duke synuar të arrijë standardin botëror prej 5% të PBB-së për siguri dhe mbrojtje, që përbën angazhim serioz për mbështetje në forcat e veta. Stërvitjet e përbashkëta me forcat amerikane dhe aleate, si në rastin kur Kosova ishte nikoqire dhe pjesëmarrëse në ushtrimin „Defender Europe 25”, po përmirësojnë ndërveprueshmërinë dhe gatishmërinë. Programi i Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të Ajovës është shembull parësor i bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe praktik.
Po ashtu, Kosova po ndërmerr hapa të rëndësishëm përtej kufijve të saj. Pjesëmarrja në përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe siguri, përfshirë kontributin në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë dhe rolin e saj si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, tregojnë se Kosova i merr seriozisht përgjegjësitë e saj si kontribuuese për stabilitetin rajonal dhe global.